Parlamenti do të vendosë nëse do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes dhe ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, në seancën e sotme plenare.

Demokratët kërkojnë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës duke pretenduar se bashkëshorti i Xhaçkës, si investitor strategjik, ka përfituar pasuri publike dhe rrjedhimisht dhe vetë deputetja e qarkut të Korçës, çka bie ndesh me përcaktimet kushtetuese për deputetët.

Por ndryshe mendojnë socialistët që në 2022 e rrëzuan në parlament si të pabazuar pretendimin e opozitës. Pas kësaj, demokratët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese e cila në Janar të 2023 shfuqizoi vendimin e parlamentit për mosmiratimin e raportit të pakicës.

Demokratët këmbëngulin që çështja t’i dërgohet Kushtetueses për shqyrtim në themel, ndërsa socialistët e cilësojnë si në konflikt vetë Gjykatën Kushtetuese që me këtë vendim të 2023 iu diktojnë ligjvënësve sipas tyre votën.


RENDI I DITËS I SEANCËS PLENARE (11 PRILL 2024):

I. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 04.04.2024.

2. Njoftime.

3. Raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2023.

4. Projektligj “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e marrëveshjes mbi transportin ndërkombëtar të rastit të udhëtarëve me autobus (Marrëveshja Interbus) në lidhje me transportin ndërkombëtar të rregullt dhe të specializuar të udhëtarëve me autobus.

5. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërise në programin e Bashkimit Evropian “Programin e tregut të përbashkët për periudhën 2021-2027”.

6. Projektvendim mbi raportet e shumicës dhe pakicës të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

7. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 94/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionerëve Publike””, i ndryshuar.

8. Projektvendim “Për disa shtesa e ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 92/20I7 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit””, i ndryshuar.

9. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 93/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit””, i ndryshuar.

10. Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 98/20I4 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbikeqyrjen e Shërbimit Civil”, i ndryshuar.

11. Projektvendim “Për emërimin e zonjës Mimoza Kaçi, anëtare e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në funksionin e Drejtorit të Përgjithshem Ekzekutiv”.

12. Projektvendim “Për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Konkurrencës”.

13. Miratimi i projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

15. Ngarkohen sherbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.


/tvklan.al