Lajme Arkiva 2003
Lideri i opozitës Sali Berisha është ndalur në Lezhë në turin që ai e quan ndërgjegjësimi i intelektualëve dhe i qytetarëve për të ndryshuar realitetin politik, social dhe ekonomik në vend. Dy çështjet kryesore të prekura nga kreu i demokratëve në takimin e Lezhës ishin krimi i organizuar dhe korrupsioni, për të cilat ai ka akuzuar kryeministrin Nano si mbrojtës të këtyre fenomene që po shkatërrojnë vendin.
Sali Berisha: Cili është qëllimi i tij? Qëllimi i tij është inspirator kryesor i krimit të organizuar. Sot krimi i organizuar i lidhur me qeverinë është i gjithëfuqishëm. Raportet ndërkombëtarë deklarojnë se në Shqipëri krimi i organizuar ka kapur të gjitha nivelet. Si opozitë kemi shpallur një luftë dhëmb për dhëmb kundër tij. Mediat në tërësi të njëjtën gjë bëjnë, me ndonjë përjashtim. Gjej rastin të siguroj mediat se ne qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të tyre ne respektojmë, do i respektojmë dhe do i mbrojmë me të gjithë potencialin tonë mediat e lira dhe fjalën e lirë. Nuk bëhet fjalë këtu për fjalën e shitur dhe mediat e shitura. Por a mundet që vetëm opozita dhe media të mposhtë këtë kancer që ka miliarda dollarë para dhe krimin mbrapa, jo. Pa mbështetjen masive tuaj ne nuk e realizomë dot këtë qëllim.
Me intelektualët e Lezhës lideri i opozitës ka folur edhe për gjendjen ekonomike të krijuar në vend. Megjithëse e ka konsideruar atë si shumë të vështirë zoti Berisha është shfaqur optimist për ndryshimin e kësaj situate.
Sali Berisha: Aspak s’ka vend për pesimizëm. Jo! Është në duart tona ta bëjmë Shqipërinë e ta bëjmë atë siç duam ne. Duhet përkushtimi ynë, duhet vullneti ynë, duhet vendosmëria jonë . unë kam besim që qytetarët e Lezhës, intelektualët e Lezhës, intelektualët e Shqipërisë do të dëshmojnë këtë përkushtim dhe ne do të japim një kthesë të madhe, kthesë përfundimtare, historike të shqiptarëve dhe Shqipërisë drejt demokracisë, integrimit./tvklan.al