Lirohet nga burgu irianian gazetarja italiane Cecilia Sala dhe do të kthehet në atdhe. Lajmin e bëri të ditur në një deklaratë zyra e Kryeministres Giorgia Meloni.

Kjo e fundit njoftoi personalisht prindërit e gazetares për lirimin e saj me telefon. Mësohet se Meloni ka marrë përgjegjësinë personale për çështjen e saj dhe është takuar me Presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump në fundjavë, kur mendohet se është diskutuar për ndalimin e gazetares.

29-vjeçarja u arrestua në Teheran më 19 Dhjetor dhe u mbajt në izolim në burgun famëkeq Evin të kryeqytetit iranian.

Gazetarja Sala u ndalua tri ditë pasi sipërmarrësi iranian, Mohammad Abedini u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një urdhër-arresti amerikan nën pretendimet se ai është furnizuesi i pjesëve të dronëve, të cilët Uashingtoni thotë se janë përdorur në sulmin e vitit 2023 që shkaktoi vdekjen e tre ushtarëve amerikanë në Jordani.

Vitet e fundit, forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar dhjetëra të huaj, kryesisht me akuza të lidhura me spiunazhin dhe sigurinë.

Klan News