20% e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi proceset e integrimit të vendit. Duke iu referuar sondazhit mbi proceset integruese europiane, njohuritë dhe perceptimet, ministria Majlinda Bregu, tha se shpreson që përbërja e kuvendit të ardhshëm të mos jetë e tillë.
Majlinda Bregu: “80% e politikanëve e dinë se në cilin stad Shqipëria drejt rrugës së integrimit evropian dhe se çfarë duhet për të përmbushur të gjitha detyrimet, 20% prej tyre nuk kishin njohuri. Besoj dhe shpresoj që ky 20% nuk do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm dhe sigurisht edhe ndërmjet politikanëve do të ketë më shumë përgjegjësi për të kuptuar procesin e integrimit të Shqipërisë si një proces, i cili kërko vullnet dhe kontribut të të gjithë aktorëve dhe sigurisht jo vetëm të qeverisjes e cila është aktori kryesor”.
Ambasadori i BE-së, Helmut Lohan, do të vinte theksin tek procesi zgjedhor i 28 qershorit, zhvillimi i tij me standarde ndërkombëtare.
Helmut Lohan: “Pak më shumë se dy javë prej sot Shqipëria ka mundësi të demonstrojë se ka arritur nivel esencial demokratik nëpërmjet organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një linjë me standardet ndërkombëtare. BE miqtë dhe partnerët e Shqipërisë po e vëzhgojnë këtë proces me interesin dhe kujdesin më të madh”.
Deklarimet u bënë në kuadër të prezantimit të rezultateve mbi projektin e përbashkët të Komisionit Europian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare me titullin “Drejt Evropës”. Në këtë projekt KE ka dhënë plot 2 milion euro në drejtim të forcimit të kapaciteteve administrative të qeverisë shqiptare. Konferenca përkon me 3 vjetorin e nënshkrimit të MSA, Shqipëri-BE. Në këtë kontekst ministria Bregu tha se qeveria demokratike do të vijojë të ketë prioritet kryesor integrimit europian të vendit.
Majlinda Bregu: “Më duhet që të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me përgjegjësi të lartë. Kanë dhënë të gjithë dhe kanë dhënë nga një provë të vullnetit të tyre personal po njëkohësisht edhe më gjerë dhe kanë dëshmuar se ky proces është një proces pikësëpari i vullnetit politik, është një proces i përgjegjësisë politike për të ndryshuar rrjedhën dhe kursin e reformave të një vendi për të qenë sa më shpejt vend anëtarë në BE”.
Helmut Lohan: “Doja të theksoja disa element që do të jenë shumë të rëndësishëm për procesin e integrimit të mëtejshëm në BE, siç është kujdesi për përgatitjen dhe zbatimin në kohë nga qeveria dhe parlamenti. E fundit por jo më pak e rëndësishme, konsensusi i forcave politike në objektivat për integrimin në BE në parlamentin e ri duhet të manifestohet qetësi dhe debat i edukuar për mënyrën se si do të përafrohen aktet legjislative me standardet e BE-së”.
Ambasadori Lohan vlerësoi punën e Ministrisë së Integrimit në zbatimin e këtij projekti duke vënë theksin në vazhdimin e mbështetjes së BE-së për Shqipërinë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami