Pep Guardiola gjykon se Manchester City duhet që të vlerësojë aftësitë dhe formën e Kevin De Bruyne përpara se të vendosë për zgjatjen e kontratës së tij.
Belgut i përfundon kontrata në qershorin e ardhshëm, ndërsa për të oferta joshëse ka pasur nga Arabia Saudite.
33-vjeçari bleg ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy asiste në këtë sezon. Goli dhe asisti i tij në fitoren 3-0 të Cityt në shtëpi ndaj Nottingham Forest janë kontributet e tij të vetme që kur u kthye në fushë në nëntor pas një dëmtimi muskulor.
“Ai ka pasur probleme vitin e kaluar! Por sigurisht kur ai është konsistent dhe në formë e luan rregullisht, është shumë i rëndësishëm për ne. Lojtar vendimtar! Por të shikojmë se si do të performojë deri në fund të sezonit. Ka të bëjë mosha e shumë gjëra të tjera. Mendoj se klubi duhet ta mendojë mirë çështjen e rinovimit të tij. Sa i përket merkatos, ne duhet të tregohemi të mençur nëse duhet të blejmë apo jo,” tha trajneri.
Tekniku katalanas shtoi se shpresonte se mesfushori Rodri të kthehej nga dëmtimi i tij deri në fund të sezonit, por fokusi i tij kryesor ishte të siguronte që fituesi i ‘Topit të Artë’ të rikuperohej mirë dhe të ishte gati për sezonin e ardhshëm.
Klan News