Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ftuar në emisionin “Kampionët” nga Marina Vjollca në Tv Klan foli edhe lidhur me lojtarin Armando Broja dhe me faktin nëse ai duhej të aktivizohej më shumë. Duka u shpreh se nëse do ta kthente ndeshjen e Spanjës të filmuar mendon që do ta kishte ndihmuar po të kishte pasur minuta më shumë, por nëse do të ishte para ndeshjes do të zgjidhte sërish Manajn.
Ndërsa sa i përket lojtarit që ka përformuar më mirë nga ekipi shqiptar në Europian, Duka veçoi Kristjan Asllanin.
Marina Vjollca: Unë e kam kuriozitetin tek Broja. A mendon vetë si tifoz se duhej të ishte aktivizuar, të kishte marrë më tepër minuta?
Armand Duka: Kjo loja jonë është kaq shumë e bukur edhe për faktin që ju jep të drejtë të gjithëve. Ti ke të drejtë, ai çuni që kishte bërë kronikën ka të drejtë, çdo njeri ka të drejtë. Sylvinho si trajneri i Shqipërisë ka fat sepse ka vetëm 10 milion shqiptarë që mendojnë se janë trajnerë. Ai i Brazilit ose një tjetër është më pafat. Broja është një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme, me kualitet shumë të mirë sidomos për ekipin tonë se nuk them që është futbollisti më i mirë në Europë apo në Botë, që padyshim do ta ndihmojë akoma më shumë ekipin. Dimë që ka pasur një dëmtim të rëndë, është rikthyer dhe kaq minuta ka menduar trajneri.
Marina Vjollca: E di zgjedhjen e trajnerit, por si tifoz vetë do doje ta shihje?
Armand Duka: Nëse do ta kthej ndeshjen e Spanjës të filmuar mendoj që do ta kishte ndihmuar po të kishte minuta më shumë, por nëse do të isha para ndeshjes së Spanjës duke parë se sa mirë luajti Manaj kundër Kroacisë, mbase do të thoja që duhej të luajë Manaj.
Marina Vjollca: Për Arbër Hoxhën çfarë komenti ke. A mendon se edhe ai do të duhej të ishte…
Armand Duka: Ai e ka ndihmuar shumë ekipin në të gjitha minutat që ka luajtur dhe asnjë nuk mund ta mendojë. Në ato minuta që ka luajtur ka dhënë aq shumë. Nëse do të luante më shumë minuta a do të ishte aq mirë, apo jo. Këtë nuk e di duhet të ndodhte. Në fakt aq minuta sa ka luajtur ka luajtur shkëlqyer.
Ndërsa sa i përket deklaratës së babait të futbollistit të Kombëtares, Ardian Ismajlit, Duka u shpreh se nuk është mirë të komentojmë deklaratat e prindërve, por theksoi se sidomos në futboll prindërit duhet t’i lënë të qetë fëmijët.
Armand Duka: Tani unë nuk mund të komentoj deklaratat e prindërve, nuk është mirë. Është mirë që fëmijët t’i lejnë dhe të zgjidhin vetë rrugët e jetës. Unë nuk besoj që jo vetëm Ismajli, por as djali im nuk është bërë sepse….padyshim që ka ndikuar edukimi që i jep prindi, por janë bërë nëse punojnë vetë dhe i zgjidhin hallet vetë dhe sidomos në futboll duhet ta lësh fëmijën të qetë.
Marina Vjollca: Notën më të lartë?
Armand Duka: Kush ishte lojtari më i mirë i Europianit nga ekipi shqiptar për mua? Asllani padiskutim!
/tvklan.al