Një panair në Londër po kërkon të ndryshojë pas shumë vitesh diferencat gjinore në botën e artit duke u dhënë grave artiste hapësirë për të shprehur atë që ato mendojnë.
Panairi i cili ngriti siparin vitin e kaluar është hapur në Galerinë qendrore Mall, që përkon me Frieze Week, një ngjarje e madhe e artit bashkëkohor në kryeqytetin britanik.
“Në industrinë e artit gjatë dy shekujve të fundit, kjo problematikë ka vazhduar për një kohë të gjatë. Çmimet që janë ndarë gjatë këtyre viteve për gratë kanë qenë më të pakta sesa për burrat. Numri i punimeve për artistet gra që janë marrë nga galeritë ka qenë më i vogël se sa burrat. Ndërkohë ne po bombardoheshim nga një numër i madh artistesh femra që kërkonin përfaqësim”, thotë drejtoresha e panairit të grave, Jacqueline Harvey.
Disa nga të dhënat më të fundit tregojnë se punimet e grave përfaqësonin vetëm 3.3% të shitjeve në ankand midis 2008 dhe mesit të 2022, sipas Raportit të Burns Halperin, i cili mbulonte përfaqësimin në muzetë e SHBA dhe tregun e artit.
Panairi i Grave në Art prezanton vepra nga rreth 150 artistë dhe përfshin galeri që fokusohen te femrat, seksione të kuruara dhe pjesë të zgjedhura.
“Kur dhamë çmimet e punimeve konstatuam se kishte një pabarazi të madhe me çmimet. Edhe artistet më të mira femra nuk po i afrohen çmimeve që kanë marrë artistët meshkuj. Ne donim të tregonim nëpërmjet kësaj nisme se artistet femra duhet të kenë të njëjtat përfaqësime me artistët meshkuj. Kjo do të vlejë në të ardhmen për karrierën e tyre, për të pasur këtë mbështetje”.
Artistja nga Kina Wen Wu është ndër ata, puna e të cilëve është ekspozuar në seksionin e kuruar të panairit “Ciklet e grave”.
“Të gjithë pjesëmarrësit, të gjitha artistet femra, ndiej se e kemi zërin, shpresoj që ky zë të jetë gjithnjë e më i fortë për t’i bërë njerëzit të dinë rolin tonë, jo vetëm ne kemi një rol, jo ndoshta si vajzë, grua apo çfarëdo tjetër. Ne jemi të gjithë artistë, po, ne kemi një rol si artistë. Ne kemi këtë lloj fuqie krijuese”.
Jacqueline Harvey shprehet se kjo industri i është përgjigjur nevojës së përfaqsimit të grave. Gratë po përfshihen në më shumë panaire, në ankand çmimet janë rritur.
“Punimet e grave tanimë po korrin shumë sukses. Ato arrijnë çmime të larta në ankandet e artit. Dikur meshkujt kishin këtë triumf. Me femrat artiste, ka një mundësi të madhe tani”.
Sipas Harvey ka qenë kaq emocionuese dhe vërtet pozitive të shohësh kaq shumë gra të ecin përpara, qofshin ato kuratore apo artiste.
Klan News