Pak orë pas votimit që vendosi me vullnetin e shumicës, shprehur me një abstenim të unifikuar, për të mos ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës, Spiropali nuk ka humbur kohë.

Kryeparlamentarja, me anë të kësaj letre të siguruar nga Tv Klan, në emër të Kuvendit të Shqipërisë kërkon një opinion nga ekspertet e Venecias lidhur me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe urdhërimeve taksative të Gjykatës Kushtetuese kur shqyrtohen mocionet për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

Pesë janë pyetjet e renditura për Venecian që duan të sqarojnë ku fillon dhe ku mbaron vullneti i deputetit i shprehur me votë, qoftë dhe kur bëhet fjalë për vendimet detyruese të Kushetueses.

1. Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti? Cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar (pro, kundër, abstenim)?

2. Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?

3. Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?

4. Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç’raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë krahasuar me kompetencën e gjykatës përkatëse? Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë çështjen në gjykatën e caktuar?

5. A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi? A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta”?

Edhe pse Spiropali kërkon që ekspertët e Venecias të marrin në konsideratë lutjen për kthimin e një përgjigje në një kohë sa më të shpejtë, me të gjithë kohën qe kërkon procedura e këtij komisioni gjasat janë të pakta që opinioni përfundimtar të vijë përpara zgjedhjeve parlamentare.

Përpara votimit në orët e para të mëngjesit të sotëm, Gazment Bardhi këmbënguli që të lexoheshin raportet e të dy palëve që sugjeronin dërgimin për shqyrtim të kësaj çështje në Kushtetuese, shoqëruar me shpjegimin e  demokratëve se është nje detyrim votimi pro.

Gjithsesi ai la të kuptohet se e dinte rezultatin e votimit, dhe akuzoi socialistët se po vrisnin  shtetin ligjor.

Me dy vendime të njëpasnjëshme, i fundit në Korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin që ta çonte pranë saj mocionin për mandatin e Olta Xhaçkës.

Tv Klan