Milliona tifozë në mbarë botën u shqetësuan teksa lexuan lajmet se Diego Armando Maradona është diagnostikuar me Alzheimer, por ylli argjentinas e përgënjeshtroi, duke thënë se nuk vuan nga kjo sëmudje e pashërueshme. Ai madje ka shfryrë inatin me gazetarët që kanë shpërndarë këtë lajm.
“Këta bij … e dinë vetë se të kujt, duan të krijojnë konfuzion. Kjo nuk është të dish të bësh gazetari. Duan të përfitojnë në dëm të të tjerëve, duke marrë rrugën më të shkurtër. Unë jo. Unë fitova vendin e parë si lojtar futbolli”, u shpreh ai.
Lajmi është përgënjeshtruar edhe nga mjekët pranë Maradonës, të cilët gjithsesi nuk janë shprehur kundër gazetarëve, por kanë thënë se pas analizave të kryera nuk rezulton që ish-futbollisti të vuajë nga një sëmundje e tillë.
Diego Armando Maradona pak ditë më parë dha dorëheqjen nga posti i trajnerit të ekipit meksikan Dirados de Sinaloa, sikurse deklaroi, për arsye shëndetësore.
Tv Klan