Mark Rutte zgjidhet sekretar i përgjithshëm i NATO-s. I njohur si një mbështetës i flaktë i Ukrainës në luftën me Rusinë, 57-vjeçari kishte përkrahjen e anëtarëve të mëdhenj të aleancës si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca e Britania e Madhe.
Emërimi i tij zyrtar u bë pasi mbeti si kandidat i vetëm potencial, pas heqjes dorë nga kandidimi i presidentit rumun Klaus Iohannis, javën e kaluar. Hungaria ishte një ndër aleatët skeptikë për kandidaturën e tij, por kryeministri hungarez Viktor Orban i premtoi sekretarit në largim Jens Stoltenberg, në një takim më herët gjatë këtij muaji, se nuk do e bllokonte zgjedhjen e Mark Rutte si pasardhës të tij.
Në këmbim, Hungaria mori garanci se nuk do të detyrohej të përfshihej në planet e aleancës për të ndihmuar ushtarakisht dhe financiarisht Ukrainën në luftën kundër rusëve, ndërsa Orban njihet si ndër të paktët miq të Putinit brenda NATO-s.
Rutte është kryeministri më jetëgjatë i Holandës dhe pret largimin nga ky post pas gati 14 vitesh, pasi Partia Popullore ku ai bën pjesë humbi zgjedhjet e 2023-shit. Një mik i Shqipërisë, politikani liberal që pritet ta marrë zyrtarisht detyrën në 1 Tetor mbështet afrimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike.
Tv Klan