Katër anëtarët nuk arrijnë të zgjedhin mes të dyjave
Arta Vorpsi e Marsida Xhaferllari u paraqitën të dyja në Gjykatën Kushtetuese për të filluar detyrën e re, ndonëse të dyja zëvendësojnë të njëjtën vakancë.
E para, në orën 7 e 50 minuta iu drejtua institucionit ku deri të mërkurën ka punuar si këshilltare ligjore. Arta Vorpsi i shmangu përgjigjet për pyetjet e gazetarëve se si mund të betohej tek një noter një gjyqtare e Kushtetueses.
20 minuta më vonë ishte radha e Marsida Xhaferllarit. Edhe ajo hyri në Gjykatë pa bërë komente.
Anëtarët e Gjykates zhvilluan një mbledhje në përpjekje për të zgjidhur situatën e krijuar.
Arta Vorpsi u ka kërkuar 4 anëtarëve në detyre; Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, t’i njohin mandatin. Por ata nuk kanë marrë vendim, pasi votat e tyre kanë qenë të barabarta.
As Vorpsi dhe as Xhaferllari nuk morën pjesë në mbledhje. Xhaferllari e la gjykatën rreth orës 13:00 dhe nuk bëri komente.
Arta Vorpsi u konsiderua si e emëruar në detyrë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi ishte e para në listën që iu dërgua Presidentit për të plotësuar vakancën që i takon atij dhe Presidenti, sipas Këshillit, nuk e respektoi afatin 30-ditor që parashikon ligji. Ajo nuk u betua në Presidencë, sipas Kushtetutës, por e noterizoi betimin e saj tek një noter.
Ndërsa Xhaferllari u përzgjodh nga Presidenti për të njëjtën vakancë dhe u betua pranë tij.
Procedurat e ndjekura për emërimet e dy anëtareve kanë krijuar një situatë të paprecedentë në Gjykatën Kushtetuese dhe rrezikojnë ta çojne vendin nga një krize politike, drejt një krize kushtetuese.
Tv Klan