Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos parashikon se Shqipëria do të jetë gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda 2027-ës.

“Tashmë kemi dy kryesues, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Mali i Zi duket se mund të përmbyllë bisedimet deri në fund të 2026-ës dhe Shqipëria deri në fund të 2027-ës”.

Në të parin raportim të saj para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian pas marrjes së detyrës, Kos veçoi Shqipërinë për ritmet e shpejta në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit.

“Nëse shohim ku ka qenë Shqipëria para 5 vitesh dhe ku është sot, ata sigurisht që meritojnë mbështetjen tonë, jo vetëm me fjalë”.

Interesit të eurodeputetëve, nëse do të ketë anëtarësime të reja në 2028-ën, Kos iu përgjigj duke thënë se kjo varet nga vullneti i vendeve anëtare për të shpërblyer përparimet e bëra nga vendet kandidate.

“Më në fund kemi zhvillime në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që zhvillimet pozitive të nxisin edhe vendet e tjera, përfshirë Serbinë”.

Kryeministri Edi Rama ka shpallur si objektiv anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, ndërsa viti 2027 përkon si afat edhe me parashikimet e qeverisë shqiptare për përmbylljen e kapitujve të negociatave.

Tv Klan