Kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për mediat pas masakrës së Shkodrës me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur rëndë.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha thotë se pas kësaj masakre sipas tij qëndron ajo që e quan “banda qeveritare” dhe kjo vjen pas një sërë aktesh terroriste në qytetin verior.

Sali Berisha: Masakra e djeshme është vazhdim i një serie aktesh terroriste, atentatesh të ndodhura muajt e fundit në Shkodër, të fshehura nga policia e Shkodrës, apo të injoruara totalisht në gjetjen dhe arrestimin e atentatorëve. Masakra e djeshme e bandës qeveritare në Shkodër, pra vjen pas asaj të Korrikut në të cilën u plagosën 3 të rinj, dy prej të cilëve u shtruan në spital, por u fsheh si ngjarje. Vjen pas asaj të shtatorit që Shkodra e di mirë se kush është atentatori, por policia nuk mori mundimin qoftë ti bëje dhe një pyetje të vetme.

Masakra e Shkodrës dje rëndom thuhet se pati mbështetjen e policisë, sepse kjo masakër ishte e paralajmëruar në mënyrë të përsëritur dhe organet bashkëpunëtorë të krimit, si Skrapi i partisë dhe policia, kishin çdo të dhënë për përgatitjen e saj. Nuk kam të sigurtë burimin, por duan të thonë, se në pritë i nxori dikush nga policia që u devijoi rrugën Licit dhe Bushatit. Kjo masakër nuk mund të mos lidhet me vendimin e Edi Ramës për të kandiduar në Shkodër. Edi Rama e di se ai është njeriu më i urryer nga Shkodra dhe Shkodranët. Kjo bandë kontrollon Edi Ramën, Spirogjokën, Ballën dhe Mondin e ka të vehtin. Por kjo bandë me në krye Edi Ramën nuk do të mund të mposhtë kurrë Shkodrën.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, kryedemokrati Berisha ka thirrur të shtunën në orën 12:00 mosbindje civile në Shkodër në solidaritet me qytetarët, kundër asaj që e cilëson “dhuna e mafias së Edi Ramës”.

Sali Berisha: Të shtunën në orën 12 në Shkodër, solidaritet me qytetarët e këtij vendi, me këtë qytet të bekuar, si dëshmi që nuk do të pranojmë kurrë që krimi të mposhtë Shkodrën dhe shkodranët. Në këtë protestë mosbindje civile, ne i themi jo dhunës së mafias së Edi Ramës.

Kjo mosbindje duhej të thirrej në Tiranë, por dëshiroj të ju shprehim nga afër të gjithë solidaritetin tonë qytetarëve të Shkodrës, për të cilët Edi Rama ka zgjedhur hanxharët e krimit me qëllimin e vetëm që të mbledhin vota sepse i doli fytyra se kush është në Durrës.

Kërkon që votat t’i sigurojë me bandat. Ftoj të gjithë opozitarët dhe opozitarët në orën 12, në Shkodër, solidaritet, mbështetje qytetare për banorët e mrekullueshëm, për qytetarët fisnikë të këtij qyteti.


/tvklan.al