Balluku: Shërbimi për qytetarët shumë më pranë vendbanimit të tyre

Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Mat do të jetë funksionale brenda pak muajsh. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre i Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi nga afër godinën dhe tha se ishte e rëndësishme ngritja e kësaj drejtorie në zonën e Matit, pasi ul kostot për qytetarët

“Një nga qarqet me territorin më të shtrirë dhe sigurisht me një territor të vështirë me shumë rrugë rurale dhe për shkak të të gjithë ankesave që na vinin nga drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët jemi detyruar që të bëjmë një analizë dhe të shikojmë se çfarë duhet të bëjmë saktësisht për këtë qark. Ne do t’i shpëtojmë mbi 43 milion lekë qytetarëve në konsum. Do të shpëtojmë mbi 3 milion km të harxhuara nga Peshkopia në Burrel dhe në të gjithë zonat përqark.”

Zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh se cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve edhe në Mat do të jetë në të njëjtin nivel me atë që ofrohet në të gjithë vendin.

“Ne kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe parametrat që kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë sa i përket infrasturkturës së re që kemi ngritur. Jam e sigurt Ilir që ju do të gjeni punonjës të mirë dhe të kualifikuar.”

Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Mat ishte një kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve dhe tashme nuk është e nevojshme për ta që të udhëtojnë deri në Dibër.

Klan News