Pritet krahasimi i gjurmëve me provat e gjetura në makinën e vrasësve
Mbi 30 persona janë shoqëruar në Policinë e Durrësit, në lidhje me atentatin ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Pëllumb Muharremi dhe shoferi i prokurorit, Andi Maloku. Të shoqëruarit janë kryesisht persona me precedentë penalë, nga Durrësi, Shijaku dhe Fushë-Kruja.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për Televizionin Klan se shoqërimet janë bërë duke u bazuar në dosjet e hetuara nga prokurori apo konfliktet që ka pasur miku i tij, Muharremi, i njohur me nofkën “Rrumi”.
Por asnjëri prej të shoqëruarve nuk është ndaluar. Prokuroria e Krimeve të Renda po pret rezultatet e provave të gjetura në makinën tip Mercedez që u gjet e braktisur në Shkafanë, në afërsi të Ishmit, dy orë pas ngjarjes.
Laboratori i Kriminalistikës nuk i ka përfunduar ende analizat e gjetura në gjurmët e lëna në dy kallashnikovët, dy maskat dhe në pjesë të ndryshme të makinës.
Shenja gishtash apo profile të ADN-së do të krahasohen më pas me disa nga të dyshuarit, që kanë qenë pjesë e shoqërimeve të këtyre ditëve.
Nga ana tjetër, hetuesit dyshojnë se makina e braktisur mund të mos ketë lidhje me ngjarjen, por mund të jetë lënë nga atentatorët si karrem, për të humbur gjurmët.
Televizioni Klan mëson se nga pamjet e kamerave të sigurisë, prokurorët nuk kanë arritur të verifikojnë nëse makina e atentatorëve është e njëjtë me atë që u gjet në Shkafanë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po ashtu nuk ka përcaktuar ende se kush ka qenë shënjestra e atentatit, prokurori Ndoja për shkak të detyrës apo miku i tij Muharremi, për shkak të konflikteve që ka pasur me persona të ndryshëm.
Tv Klan