Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani nuk e shikon si shqetësues mbiçmimin e lekut ndaj valutave. Cani shpjegon se forcimi i lekut mund të mos cënojë eksportet.
Shkëlqim Cani: “Unë nuk them se mbiçmimi i lekut në mënyrë absolute, teroikisht dhe praktikisht, në Shqipëri nuk ka dhënë ndikim negativ në eksporte. Ka një qëndrueshmëri që ende ne vazhdojmë ta quajmë relative, për arsye se jemi një vend i varfër, jo nga faktorë të tjerë, sepse teorikisht duhet të quheshim të qëndrueshëm, por duke qenë një vend i varfër i fut fjalën ‘relative’, sepse varfëria të imponon dhe prishje ekuilibrash aty ku s’ta pret mendja.”
Debati mbi forcimin e lekut gjithsesi mbetet i hapur mes ekspertëve që kanë hedhur idenë që ky fenomen nuk është shpjeguar ende plotësisht. Ministri i Financave dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë thanë se nuk do të lejojnë cënimin e konkurrencës bankare në lidhje me interesat. Këto deklarata vijnë pas tentativës për rritjen e normës së interesit për blerjen e borxhit të qeverisë kërkuar nga Raiffeisen Bank disa javë më parë. Aktualisht kjo bankë ka monopolin për blerjen e borxhit të qeverisë.
Arben Malaj: “Në rastet kur kërkesat e bankave jo vetëm të Raiffeisen do të tentojnë të aplikojnë interesa, të cilat, në vlerësimin dhe të Ministrisë së Financës janë të paargumentuara, rritet domosdoshmëria e bashkëpunimit të Ministrisë së Financave me Bankën Qendore për të gjetur zgjidhje për ankandin e radhës dhe për të kërkuar që të respektohet më mirë konkurrenca.”
Shkëlqim Cani: “Ne të menaxhojmë siç duhet likuiditetin dhe çdo kërkesë të pabazuar ose të nxitur nga faktorë afatshkurtër, ne natyrisht i çojmë në rrjedhën e duhur.”
Krerët e financave përshëndetën akordimin e një fondi prej 6 milionë dollarësh nga fondi monetar ndërkombëtar i cili e çon shumën totale të lëvruar nga ky institucion në 30 milionë dollarë. /tvklan.al