Vendimi i Shqipërisë për ta ndaluar TikTok-un për të paktën një vit, ka tërhequr vëmendjen e agjencisë së lajmeve Reuters.

Sipas Reuters, vendimi i qeverisë shqiptare ka hapur një debat të nxehtë në vend.

Mes personave të parë të prekur nga ky vendim është i riu Ergus Katiaj i cili e përdor rrjetin social si një mënyrë për të promovuar biznesin e tij në Tiranë.

“Ndalimi i TikTok do të ketë një ndikim të madh tek unë sepse unë shkoj drejtpërdrejt në orën 23:00 dhe them: ‘Përshëndetje, si ishte dita jote? Po filloj të bëj dërgesa tani, kush dëshiron të porosisë ndonjë cigare, alkool, birrë, patatina në Tiranë do t’jua sjell unë.’ Më vjen keq për këtë sepse kam investuar shumë në këtë mënyrë marketingu, me gjithë shpirt, por, siç thashë, ka shumë shembuj negativë në TikTok, (dhe) ndoshta kryeministri (Edi Rama). duhet të eliminojë ato gjëra”.

Kryeministri Edi Rama mori vendimin më 21 dhjetor për të mbyllur TikTok pas ngjarjes afër shkollës “Fan Noli” ku mbeti i vrarë një 14-vjeçar pas një sherri me një bashkëmoshatr të tij.

Dëshmitarë të asaj ngjarje të rëndë theksojnë se mbyllja e Tik Tok është një nevojë urgjente për të mbrojtur të rinjtë.

“Të gjitha qeveritë që kanë marrë vendime të tilla u janë referuar krimeve që po ndodhin. Këta fëmijë shikojnë vetëm gjëra negative në TikTok. Mendoj se është një vendim i mirë për momentin. Le të mbyllet për momentin, të shohim se si gjërat zhvillohet pas ndalimit, atëherë është në dorën e të gjitha qeverive ta mbajnë atë të mbyllur ose jo. Unë personalisht jam në favor të mbylljes së TikTok”, tha dëshmitarja Fiorentina Sako.

Vetë kryeministri Rama kur shpalli vendimin u shpreh se qëllimi I vetëm për këtë vendim ka qenë mbrojtja e të rinjve.

“Në TikTok të Kinës nuk shihni huliganizëm, perversitet, dhunë, ngacmim, krim, thika, shpata, armë, euro apo dollarë. Ndërsa në TikTok jashtë Kinës (ka) vetëm llum dhe të poshtër. Pse na duhet kjo këtu?”

Rama arsyetoi në atë kohë se vendimi erdhi pas diskutimeve me prindërit dhe mësuesit, por sërish ka kritikë të këtij vendimi.

“Një nga rreziqet (e ndalimit) është se mund të ndërhyjë në atë që ne e quajmë të drejtat dixhitale dhe lirinë e shprehjes. Kjo gjithashtu krijon një precedent të rrezikshëm që në çdo moment qeveritë mund të mbyllin platforma të ndryshme”, shprehet ekspertja e politikave dixhitale, Orkidea Xhaferaj.

Shqipëria nuk është vendi i vetëm që vepron kështu. Në të paktën 20 vende në botë ka patur ndalim të plotë ose të pjesshëm të TikTok-ut për shkak të videove të papërshtatshme dhe shqetësimeve për sigurinë.

Klan News