Ministria e Arsimit ka nisur procedurat ligjore për mbylljen e Kolegjit Universitar Wisdom. Në një intervistë për Klan News, zv/ministrja e Arsimit Ana Kapaj tha se procedurat për mbylljen e këtij kolegji, kanë nisur më herët se institucionet italiane të bënin arrestimin e administratorit dhe se grupi i punës ka hasur programe të palicensuara, dhe studentë të pa regjistruar në mënyrë ligjore.
“Për sa kohë që unë nuk kam aplikim, unë nuk e di këtë program dhe nuk e liçensoj. Unë nuk e di që ekziston ky program! Dhe ky institucion jep certifikata dhe diploma, të cilat sigurisht janë të paligjshme. Për ne është e qartë që ky institucion ka dhënë diploma me një program për shtetin shqiptar jashtë kornizës ligjore. Një shkelje e rëndësishme që nuk mund të anashkalohet në asnjë moment dhe që cenon procesin është mungesa e regjistrave në këtë institucion. Janë themeltarë, dokument ligjor që provon ecurinë e studentit, regjistrimin.”
Sipas zv/ministres, vendimi për mbyllje është në proces, pritet miratimi nga Këshilli i Ministrave.
“Në rastin e Kolegjit Wisdom, reagimi i Ministrisë ka qenë i menjëhershëm dhe nuk është certifikuar asnjë kuotë në këtë vit akademik dhe jemi bazuar në gjetjet tona. Sikundër ju mund ta dini, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, procedura është iniciuar.”
Në lidhje me studentët që janë duke ndjekur studimet në Kolegjin “Wisdom”, zv/ ministrja Kapaj tha se do u jepet mundësia e transferimit në universitete të tjera.
“Në vendimin e Këshillit të Ministrave do ketë hapa që do ndiqen për të mbrojtur dhe për të parë si do shkojë ecuria e këtyre studentëve. Bazuar në kërkesat që do vijnë do bëhet transferimi.”
Ndërsa në lidhje me lëshimin e diplomave të mëparshme ajo dha këtë përgjigje.
“Sa kohë studentët kanë mbaruar në këtë institucion dhe janë diplomuar, e ky institucion ka qenë i akredituar, sigurisht që diploma e tyre është e vlefshme.”
Deri më tani, nuk ka njoftim nga prokuroria nëse ka nisur ndonjë hetim në lidhje me Kolegjin Wisdom.
Klan News