Donald Trump pritet të zgjedhë senatorin Marco Rubio për postin e Sekretarit të Shtetit, sipas disa burimeve të cituara nga disa media amerikane. Nëse kjo konfirmohet atëherë politikani nga Florida do të jetë hispaniku i parë që do të shërbejë si kryediplomat amerikan, sapo presidenti i zgjedhur republikan të marrë detyrën në janar.

Senatori Rubio momentalisht shërben si nënkryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin. Ai gjithashtu është anëtar i Komisionit për Marrëdhënieve me Jashtë.

Zoti Trump njoftoi të martën se ka zgjedhur ligjvënësin republikan Mike Waltz për postin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Zoti Waltz njihet për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Kinës.

Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu njoftoi se ka përzgjedhur ish Guvernatorin e Arkanzasit Mike Huckabee për postin e Ambasadorit amerikan në Izrael.

Zoti Trump, një ditë më parë njoftoi se ka përzgjedhur ish-ligjvënësin republikan nga Nju Jorku Lee Zeldin si administrator të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.

Zoti Zeldin, që prej kohësh ka qenë aleat i zotit Trump, ishte ligjvënës në Kongres nga viti 2015 deri në 2023.

Në vitin 2022 ai humbi garën zgjedhore për Guvernator të Nju Jorkut kundrejt rivales demokrate Kathy Hochul.

Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar se do të reformojë politikat mbi energjinë për të rritur në masë prodhimin e naftës dhe gazit duke shfuqizuar rregulloret aktuale dhe duke shpejtuar dhënien e lejeve për këtë qëllim.

Një tjetër vendim për kabinetin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, sipas dy burimeve të rrjetit CNN, është përzgjedhja e Guvernatores së Dakotës së Veriut Kristi Noem për postin e Sekretares së Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Ashtu si edhe Senatori Rubio, Guvernatorja Noem ishte përmendur si kandidate e mundshme e zotit Trump për postin e Nënpresidentes gjatë fushatës zgjedhore. Ajo momentalisht është në mandatin e saj të dytë si guvernatore pas një fitoreje bindëse në vitin 2022.

Ndërkaq, nga lista e ngushtë e kandidatëve të zotit Trump për Sekretar Shteti, Senatori Rubio është politikani që ka folur më hapur për një politikë të jashtme më të ashpër ndaj kundërshtarëve gjeopolitikë të Amerikës, përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën.

Gjatë viteve të fundit ai ka zbutur disa nga qëndrimet e tij për t’iu përshtatur atyre të zotit Trump. Presidenti i zgjedhur akuzon presidentët e kaluar të Shteteve të Bashkuara se e kanë angazhuar Amerikën në luftra të kushtueshme dhe të panevojshme dhe ka folur në mbështetje të një politike të jashtme më të përmbajtur.

Ndërsa zoti Trump njihet për qëndrimet e tij të paparashikueshme dhe si një person që mund të ndryshojë mendjen edhe në minutën e fundit, deri të hënën ai dukej se ishte i vendosur në zgjedhjen e zotit Rubio për Sekretar Shteti, sipas burimeve, të cilët folën në kushte anonimiteti për disa media.

Përfaqësuesit e zotit Trump dhe Senatorit Rubio nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Administrata e re do të përballet me një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme se sa ishte kur zoti Trump mori detyrën në vitin 2017. Luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme po vazhdojnë ndërsa Kina vazhdon të lidhet më ngushtë me armiqtë e Uashingtonit, Rusinë dhe Iranin.

Kriza e Ukrainës do të jetë pika kryesore në programin e Sekretarit të ardhshëm të Shtetit.

Pesëdhjetë e tre vjeçari Rubio ka thënë në intervistat e fundit se Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë në vend që të përqëndrohet në rimarrjen e të gjithë territorit që Rusia e ka pushtar në dekadën e fundit. Ai ishte gjithashtu një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihmash ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, të miratuar në muajin prill.

Ndërsa Senatori Rubio është kandidati që ka folur më shpesh për politika më të ashpra të jashtme, zgjedhja e tij e mundshme megjithatë nënvizon një ndryshim të rëndësishëm në pikëpamjet e politikës së jashtme republikane nën zotin Trump.

Dikur partia e zyrtarëve që flisnin më shumë në favor të ndërhyrjeve ushtarake dhe një politikë të jashtme që tregon muskujt, shumica e aleatëve të zotit Trump tani flasin për përmbajtje, veçanërisht në Evropë. Shumë republikanë ankohen që aleatët e Amerikës në Evropë nuk po investojnë sa duhet në mbrojtjen e tyre.

“Unë nuk jam në anën e Rusisë, por fatkeqësisht realiteti është se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një zgjidhje të negociuar” tha Senatori Rubio për rrjetin NBC në muajin shtator.

Përzgjedhja e zotit Rubio ka rëndësi brenda Shteteve të Bashkuara dhe në arenën ndërkombëtare.

Kandidati republikan Trump mundi Nënpresidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit pjesërisht duke rritur mbështetjen në mesin e votuesve latino-amerikanë, të cilët kishin votuar me shumicë dërrmuese për demokratët në ciklet e mëparshme zgjedhore. Ky grup votuesish, megjithatë janë bërë një grup demografik gjithnjë e më i larmishëm në kuptimin politik, me gjithnjë e më shumë latino-amerikanë që votojnë republikanët.

Duke zgjedhur Senatorin Rubio për një rol kyç në politikë, Presidenti i zgjedhur Trump mund të vazhdojë të konsolidojë mbështetjen në mesin e hispanikëve dhe të bëjë të qartë se ata kanë një vend në nivelet më të larta të administratës së tij.

Nëse konfirmohet, Senatori Rubio ka të ngjarë t’i kushtojë një rëndësi shumë më të madhe Amerikës Latine se çdo sekretar i mëparshëm i shtetit, tha Mauricio Claver-Carone, një aleat i tij dhe ish-president i Bankës Ndër-Amerikane për Zhvillim.

“Kjo është koha kur Amerika Latine do të ketë vëmendjen më të madhe në historinë e çdo presidence të Shteteve të Bashkuara. Është me rëndësi historike”, tha zoti Claver-Carone./VOA