Media greke Protothema ka bërë një artikull sa i takon takimit të kryeministrit Edi Rama sot në Selanik.

Eventi i Ramës në qytet, nis protesta kundër tij”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë sot në Selanik për takimin me emigrantët shqiptarë dhe një protestë kundër tij ka filluar organizimin që para të Dielës.

Takimi do fillojë në orën 11:00 tek hoteli “Porto Palace”.

Ky takim është pjesë e përpjekjes së qeverisë shqiptare për të mbajtur kontaktet me shqiptarët e diasporës, e po ashtu për të diskutuar mbi gjithçka i shqetëson emigrantët, siç është edhe integrimi i tyre në shoqëri dhe garantimi i të drejtave në një vend të huaj.

Megjithatë, shumë e konsiderojnë këtë lëvizje krejtësisht politike dhe një tjetër mënyrë që Rama të sigurojë votat për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Para pak ditësh, Edi Rama njoftoi zyrtarisht takimin e fundjavës përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruante: “Selanik, më 3 Nëntor të Dielën, ora 11:00. Krenar për shqiptarët e Greqisë. Krenar për Shqipërinë!”

Protesta për prezencën e Ramës në qytet

Që prej orës 10:00 anëtarët e organizatave nacionaliste po zhvillojnë një tubim jashtë “One Salonica” dhe më pas pritet që të nisin një marshim. Siç thonë ata, po reagojnë për praninë e kryeministrit shqiptar në Selanik në një kohë kur “shteti shqiptar po shkel sistematikisht të drejtat e njeriut të minoritetit të njohur grek të Vorio Epirit”, ndërsa protestojnë edhe për vrasjen e Katsifa.

/tvklan.al