Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka vlerësuar raportin për Shqipërinë mbajtur përpara këshillit të përhershëm të OSBE-së në Vjenë.
Meta përmendi vlerësimin në raport të arritjeve në shumë fusha me ndikim në integrimit evropian të vendit, por u ndal tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 Qershorit.
Për sa i takon zgjedhjeve raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se ato përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-se dhe shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore.
Ilir Meta: “Përshëndes njëkohësisht deklaratën e bërë në emër të Bashkimit Evropian nga përfaqësuesi i presidencës suedeze në Këshillin e përhershëm ku shprehet kënaqësia për zhvillimet inkurajuese në Shqipëri gjatë vitit 2009 në avancimin pa pengesa të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit si dhe zhvillimin zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Është për t’u theksuar dhe vlerësuar, deklarimi i përfaqësuesve e ndërkombëtar, dje në Këshillin e përhershëm se kuvendi i Shqipërisë, mbetet institucioni kyç për avancimin reformave dhe zhvillimin e jetë politike në vend. Në deklaratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, theksohet se pavarësisht krizës ekonomike globale, Shqipëria tërheq investime të huaja në rritje. Ka avancuar në procesin e privatizimit dhe vërehen përmirësime të mëtejshme në klimën e biznesit.”
Meta ripërsëriti gjatë konferencës për shtyp se mazhoranca është e hapur për çdo zgjidhje që nuk cenon pavarësinë e institucioneve kushtetuese.
Këtu Ministri i Jashtëm nënkuptoi kërkesën e Partisë Socialiste për të rihapur kutitë e votimit, kërkesë e shpallur nga përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës si antikushtetuese.
Ilir Meta: “Askush nuk duhet të kërkojë nga një mazhorancë që të ndryshojë thelbin e këtij sistemi i cili ka të bëj ëme pavarësinë e pushteteve, ku element kyç mbetet pavarësia e gjyqësorit. Gjithçka tjetër është e hapur për tu diskutuar dhe për tu zgjidhur me dialog.”
Ministri i Jashtëm Meta nënvizoi edhe atë pjesë të raportit në Vjenë, që vlerëson rolin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. /tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi