Një javë pas arrestimit, një reagim i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta është postuar në rrjetin e tij social “Facebook”. Nga burgu, Meta thotë se arrestimi i tij ndodhi para zgjedhjeve me qëllim garantimin e mandatit të katërt të PS. Përveç qeverisë, Meta flet edhe për faktorë të tjerë, të cilët donin arrestimin e tij.
“Është e qartë si drita e diellit, që ky rrëmbim i planifikuar prej kohësh ndodhi tani pikërisht në prag të fushatës zgjedhore të 2025-ës, për t’i garantuar Narkoregjimit përmes Narkodrejtësisë edhe 4 vite të tjera sundim në kurriz të shqiptarëve dhe në dëm të interesave kombëtare. Jam shumë i qartë se ky rrëmbim është një konsensus i gjerë i përgatitur nga faktorët më malinj, të cilët i tmerron prania e Ilir Metës, në jetën publike, të vërtetat që ai thotë dhe që gjithmonë janë provuar, çmontimi i Ramaformës në Komisionin e Venecias, që ka asgjësuar shtetin e së drejtës dhe ka instaluar një juntë të rrezikshme policore, gjyqësore dhe bandash, aq sa edhe Vietnami i ka indekset e drejtësisë më të mira”.
Teksa pretendon pafajësinë për çdo akuzë dhe krahas sulmeve ndaj SPAK, përgjegjësinë për deklarimin e pasurisë si dhe për shpenzimet shëndetësore ia kaloi ish-gruas së tij Monika Kryemadhi.
“Pastaj çdo gjë tjetër ishte vetëm një makinacion për të më veshur mua përgjegjësi që nuk më takojnë pasi me procesin e deklarimit të pasurisë apo shpenzimeve shëndetësore dhe mjekësore merrej ish-gruaja ime në mirëbesim të plotë duke patur edhe avokatin dhe noteren për këto çështje, por edhe shumicën e pronave. Lidhur me lobingjet, siç e sqarova edhe në sallën e gjyqit, në dijeninë time çdo gjë është bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane dhe kurrë nuk kam autorizuar veprime të paligjshme”.
Për akuzat që lidhen me CEZ-DIA, kryetari i PL thotë se filloi pasi mbrojti Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo çështje është filluar në kohën e përplasjes së madhe për mbrojtjen e Gjykatës Kushtetuese midis meje si President i Republikës dhe Qeverisë së “Rilindjes”, që donte të grabiste të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që të kemi këtë Ramaformë që e dinë të gjithë shqiptarët”.
Përveç se për garantimin e fitores së PS në zgjedhje, Meta e shikon arrestimin e tij si një mundësi që socialistët të rrëmbejnë Partinë e Lirisë.
“Si përfundim për sot, e gjithë Fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit”.
Kryetari i PL u arrestua më 21 tetor, ndërsa akuzohet për tre vepra penale; pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie.
Klan News