Në shoqërinë e një grupi specialistësh të Komisionit Evropian për transportet, ministri Sokol Olldashi ka udhëtuar me tren në linjën Tiranë-Durrës.
Zoti Olldashi pohoi se platforma e reformimit të administratës është drejt mbylljes, ndërsa deklaroi se puna do të nisë në rikonstruksionin e hekurudhës, ku prioritet do t’i jepet linjës Tiranë-Durrës si dhe Vorë-Bajzë.
Sokol Olldashi: “Parashikojmë që në një veprim të përbashkët të mobilizojmë financimet për të filluar më në fund ristrukturimin edhe të infrastrukturës së hekurudhës duke filluar nga linjat dhe më pas për të kaluar tek…dhe kështu me radhë.”
Ministri i Transporteve ka premtuar së me përfundimin e projektit Durrës-Rrogozhinë-Elbasan do të vijojë më pas shtrirja së linjës hekurudhore deri në Maqedoni.
Elio Katani një ndër përfaqësuesit Komisionit Evropian të Transporteve ka vënë theksin mbi anët pozitive të udhëtimit me tren duke sqaruar se modernizimi i linjës hekurudhore është një nga pikat që do të ndihmojë Shqipërinë për integrimin në Evropë.
Elio Katani: “Është një linjë me potencial të madh sepse lidh dy nga qytetet më të rëndësishme, Tiranën dhe Durrësin për 30-40 minuta dhe kjo do të ishte një mundësi për të larguar trafikun nga autostrada, do të ulë nivelin e ndotjes dhe do të ndikojë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Me ministrin kemi biseduar për planin e modernizimit të kësaj linje, e cila do të ndërtohet më ndihmën e Komisionit Evropian dhe Bankës Botërore. Modernizimi është më i rëndësishëm për evolucionin e Shqipërisë dhe për integrimin në Evropë.”
Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, fondet buxhetore për transportin hekurudhor kanë pësuar një rritje nga viti në vit, ashtu si edhe kreditë që shteti ka marrë për mirëmbajtjen e trenave apo zhvillimin e këtij sektori./tvklan.al