Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pengesat burokratike që i krijon administrata publike biznesit në lidhje me taksat, licencimet dhe pronat, do të maten. Këtë provën ndaj burokracisë së administratës e organizon vetë shteti. Ministria e Ekonomisë do të realizojë anketime në disa institucione shtetërore dhe kompani private dhe do të hartojë strategji të reja për të përmirësuar klimën e biznesit.

Anastas Angjeli: “Është vetë iniciativa e qeverisë, e cila do të vetëkontrollojë veten që çfarë ka bërë që atëhere e deri tani, por gjithnjë në bashkëpunim me FIAS-in e cila na i kishte rekomanduar atë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm që duhet vënë theksi, që dëshmon edhe njëherë tjetër për angazhimin dhe vullnetin e qeverisë për ta çuar këtë proces jo pa fund, por gjithnjë në përmirësim të mëtejshëm”.

FIAS-i organizëm këshillimor i Bankës Botërore, vitin e kaluar ka hartuar një studim i cili vëren, se pengesat burokratike ndaj biznesit janë shpesh më të larta se taksat që duhet t’i paguajnë shtetit./tvklan.al