Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar në një njoftim zyrtar, vlerën dhe shpenzimet e bëra deri tani për ndërtimin e një godine për shtabin e forcave të armatosura. Ky sqarim bëhet pas publikimit në një gazetë të përditshme, se për ndërtimin e zyrave të reja ministri Majko po shpenzon 5 miliard lekë nga buxheti i shtetit.

Sipas të përditshmes, ky tender me një shifër marramendëse realizohet pikërisht në momentin kur reforma në ushtri shkurton mjaft ushtarak të vjetër. Por njoftimi zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes sqaron se godina shtesë e Ministrisë së Mbrojtjes, realizohet me një buxhet në total 150 milion lekë dhe se ky fond i përket buxhetit të dy viteve.

Sipas njoftimit, shpenzimet për investime janë më pak se 10% e vlerës së shpenzimeve për këtë ministri. Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes, kjo godinë shtesë do të përdoret për ngritjen e një qendre informatizimi për shtabin e përgjithshëm të ushtrisë. Ndërsa njoftimi për shtyp i kabinetit Majko, cilëson shkrimin në gazetë të pavërtetë, madje të falsifikuar./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj