Bashkimi Evropian do të miratojë brenda kësaj vere aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Lajmi bëhet publik nga mediat italiane agjencia “Di Stampa” dhe “Ansa”, sipas të cilave nga Trieste, shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini siguroi se maksimumi brenda kësaj vere do të aprovohet kërkesa e Shqipërisë.

“Shqipëria nuk mund të presë”- ka deklaruar Fratini, duke shtuar se kërkesa e bërë nga qeveria shqiptare nuk duhet të qëndrojë e mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel. Sipas tij, vendet e Ballkanit nuk mund të përjashtohen nga procesi i madh i bashkimit.

Frattini kërkoi gjithashtu edhe një samit të posaçëm për integrimin e vendeve të Ballkanit, që pritet të mbahet në muajt e parë të vitit 2010.  Ministri i jashtëm Italian theksoi se qëllimi kryesor i samitit, në të cilin do të jenë të pranishëm krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit, duhet të ketë si qëllim kryesor vendimin për hyrjen në bllokun 27-anëtarësh. 

Deklarata e kryediplomatit italian vjen pas asaj të një ditë më parë të presidentit të ri të PE Jerzi Buzek, i cili tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm. Jo vetëm për Europën, por edhe për sigurimin e paqes e të stabilitetit në vetë rajonin e Ballkanit.

Shqipëria dorëzoi aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian më 28 Prill të këtij viti. Ndërsa presidenca suedeze dha garanci se do ta shqyrtojë atë brenda një kohe të shkurtër./tvklan.al