Ndonëse media prestigjoze amerikane Uashington Post njoftoi të dielën se Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump kishte biseduar në telefon me rusin Vladimir Putin, Kremlini këtë e mohon.
Uashington Post citonte burime pranë presidentit të zgjedhur, që thoshin se Trump kishte premtuar se do t’i jepte fund brenda ditës luftës në Ukrainë dhe se e kishte këshilluar Putinin të mos e përshkallëzonte luftën në Ukrainë, pasi i kujtoi atij se Uashingtoni kishte një prani të madhe ushtarake në Europë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, në një reagim këtë të hënë e quajti këtë “një lajm të rremë” dhe “trillim të pastër”.
Agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar burime të zbulimit të jashtëm të Rusisë, shkruan se në Departamentin Amerikan të Shtetit kanë nisur të shqyrtohen mundësitë e largimit nga pushteti të Presidentit ukrainas Volodimir Zelenski.
Një nga mënyrat është që Uashingtoni të nxisë mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale, duke mbështetur kandidatë të tjerë.
Që prej fundjavës së kaluar, rusët kanë intensifikuar sulmet nga ajri mbi territorin ukrainas.
10 persona u vranë nga sulmet me raketa dhe dronë rusë gjatë natës në jug të vendit.
Zyrtarët ukrainas thanë se kishin shkatërruar në ajër 2 raketa dhe 39 dronë rusë nga 74 të hedhur vetëm natën e kaluar.
Tv Klan