Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, foli në konferencë për shtyp, në prag të takimit që skuadra e tij do të luajë ndaj Udinese-s në transfertë.

Motta deklaroi se ekipi është në formë dhe synohet vetëm triumfi. Sipas tij, në këtë ndeshje, duhet maksimumi, pasi përballë është një ekip që mund të hapë probleme.

“Djemtë janë mirë. Ata janë të fokusuar te ndeshja, në Udine duhet të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer kundër një skuadre që po ecën shumë mirë.

Ne duhet të bëjmë më mirë në nivel kolektiv, të jemi kompaktë dhe të lëmë sa më pak hapësirë, duke dhënë gjithçka në fushë. Nuk duhet t’i bëjmë ata të arsyetojnë dhe këtë mund ta bëjmë vetëm si ekip. Jemi ende në fillim dhe e dimë që duhet të përmirësohemi

Vlahovic së bashku me të tjerët sigurisht që duhet të bëjnë më mirë si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse. Nuk është sasia ajo që ka rëndësi, por cilësia e asaj që bëjmë në fushë.

Do të përballemi me një ekip të mirë fizikisht. Ndryshe nga vitet e tjera, Udinese luan mirë futboll dhe ka më shumë driblime. Duhet të përmirësohemi në të dyja fazat për të triumfuar. Ne do të përballemi me një ekip që po bën shumë mirë në shtëpi.

Vlahovic mund të pushojë. Në këtë moment të sezonit, lojtarët nuk janë të lodhur dhe janë mirë. Duhet të japim diçka më shumë për të pasur atë që duam të kemi”, deklaroi Motta.

Udinese-Juventus, do të luhet të shtunën në orën 18:00. /tvklan.al