Një nga dy autorët e vrasjes së tregtarit Vasil Dervishaj, u vetëdorëzua në policinë e Vlorës dy ditë pas krimit. 28-vjeçari me inicialet A.C., u paraqit në polici për të dhënë versionin e tij lidhur me krimin ndërsa nuk dihet nëse ka pranuar atë apo jo. Personi tjetër i shpallur në kërkim, 31-vjeçari me inicialet E. A. është ende në kërkim.

Por burime të policisë thanë se hetimi zbuloi se dy autorët dhe viktima ishin konfliktuar mes tyre një ditë më parë dhe kishin shkëmbyer fyerje në telefon. Kjo u vërtetua nga zbardhja e tabulateve telefonike.

Për t’u sqaruar ata janë takuar pranë vendit të krimit. Vasil Dervishaj, kishte marrë një armë me vete. Po ashtu edhe autorët e krimit kanë qenë të armatosur dhe janë konfliktuar mes tyre përpara vrasjes.

Ndërkaq uniformat blu sekuestruan një automjet Audi me targa shqiptare në të cilën gjendeshin edhe një palë targa italiane.

Policia po ashtu gjeti një xhup dhe një kapuç që dyshohet se janë përdorur për ekzekutimin e Dervishajt. Oficerët e krimeve, po punojnë për kapjen e autorit të dytë të vrasjes, 31-vjeçarin me inicialet E.A. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta. Policia thotë se shkaqet kanë qenë banale, por mësohet se po hetohet edhe në pistën e konflikteve për shkak të përfshirjes në aktivitete kriminale.

Një ditë më parë, policia arrestoi Nekid Arapin 21 vjeç dhe Amarildo Grembin 28 vjeç të dy nga Vlora. Sipas hetuesve ata kanë ndihmuar autorët e krimit të largohen nga vendi i ngjarjes. Gjatë arrestimit të Grembit dhe Arapit, policia sekuestroi edhe dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë.

Tv Klan