Marash Kumbulla, duket se po gjen formën e dikurshme tek Espanyol, skuadër ku u transferua në huazim nga Roma, gjatë merkatos së kësaj vere.
Mbrojtësi i Shqipërisë, regjistroi ndeshjen e tretë radhazi si titullar në La Liga. Kumbulla e nisi nga minuta e parë sfidën ndaj Rayo Vallecano, ku Espanyol fitoi me rezultatin 2-1.
24-vjeçari kuqezi, tregoi një paraqitje shumë të mirë, duke qenë nga më të spikaturit në fushë.
Në vlerësimet e dhëna pas ndeshjes, Kumbulla, ishte lojtari me notën më të lartë në mbrojtje.
Shqiptari luajti gjatë gjithë takimit, ndërsa u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Madje në minutën e 73-të, iu afrua edhe golit pas një goditje këndi, por nuk e devijoi dot topin.
Nëse vazhdon me këtë formë, shumë shpejt në gjurmët e mbrojtësit, mund të vihen klube të mëdha, njëjtë siç ndodhte para pak vitesh, kur cilësohej si një nga zbulimet e sezonit në Serinë A.
Shqiptari tjetër, Ivan Balliu, u aktivizua nga stoli në minutën e 62-të, por nuk arriti të lërë shenjë. /tvklan.al