“Për identitetin dhe gjuhën nuk negocion askush”
Me kërkesë të deputetit Antonio Miloshoski, Komisioni për Punë të Jashtme të ketë qasje në dokumentet që i dërgohen Bullgarisë si përgjigje e kërkesave të Sofjes për tejkalimin e kontestit të ndërsjellë, shefi i diplomacisë Bujar Osmani nga foltorja e komisionit theksoi se nuk mund të publikojë dokumente pune, por mund t’ia lexojë çdo deputeti në qoftë se vijnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Është praktikë që ministrat të raportojnë në Kuvend, jo e kundërta, i kanë thënë Osmanit deputetët e opozitës, duke i kritikuar arritjet “e reja” të të dyja qeverive si diçka që deri më tani nuk ka qenë kontestuese.
Dokumentet e punës që udhëtojnë në relacionin Shkup-Sofje të quajtura “pakoja 5+1” për momentin nuk duhet të publikohen, është kategorik Ministri Bujar Osmani, duke pohuar se në ta nuk ka asgjë të fshehtë, përveç pozicioneve të Maqedonisë së Veriut rreth trajtimit të gjuhës maqedonase në kornizën negociuese me BE-në, parimet për vetëpërcaktim, rehabilitim të viktimave të komunizmit, eliminimi i gjuhës së urrejtjes.
“Këto janë vetëm versione pune, por cilidoqoftë deputet le të vijë në MPJ-jë dhe unë para tyre do t’i lexoj të gjitha formulimet, megjithatë nuk mund të dorëzoj dokumente të cilat ende janë vetëm version pune. Dera e Ministrisë është e hapur”, tha Osmani.
Për kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme, Antonio Miloshoski, kjo është e papranueshme, përkatësisht është shprehje e mosbesimit në të zgjedhurit e popullit, të cilët sipas tij duhet të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në ndërtimin e pozicioneve shtetërore.
“Sistemi Kushtetues në Maqedoni është ministrat të vinë në Kuvend, jo deputetët të shkojnë te ministrat. Askush prej neve nuk është në gjendje të tillë si Kastriot Rexhepi dhe të vijë te ju të bisedoni për Evropën 21. Në qoftë se dëshironi kurdoqoftë të na prezantoni diçka, urdhëroni në Kuvend, do të organizojmë seancë të mbyllur dhe në qoftë se dëshironi ju të lexoni, lexoni, ne do të shkruajmë.”
Opozita, duke kritikuar se Qeveria manipulon se “nuk negociohet për gjuhën maqedonase” e vuri në dukje Marrëveshjen me Fronteks, të cilën Bullgaria refuzon ta nënshkruajë, duke shtuar se marrëveshje si ato të cilat këtyre ditëve arriti kabineti i Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, janë arritur edhe në dy seancat e mëparshme ndërqeveritare, në Qustendil dhe në Strumicë, për ndërtimin e Korridorit 8, për hapjen e vendkalimit kufitar Klepalo, për bashkëpunim ekonomik dhe në fushat tjera.
Klan Macedonia