Ëndrra e tifozëve të Santos është gati të realizohet: Neymar Jr. do të kthehet të veshë fanellën bardh e zi. Sulmuesi brazilian, pasi i dha fund zyrtarisht aventurës së tij të dështuar në Arabinë Saudite me Al-Hilal, është gati të kthehet në klubin që e nisi drejt lavdisë ndërkombëtare.

Në mesnatën e kaluar, sauditët bënë të ditur lajmin se kishin shkëputur marrëdhëniet me akord të përbashkët me futbollistin.

Nga ana tjetër shtypi brazilian ka konfirmuar se ylli 32-vjeçar ka gjetur një marrëveshje për t’u rikthyer te Santos, vendim që kombinon dëshirën personale të lojtarit me entuziazmin e një baze tifozësh që nuk ka reshtur kurrë së ëndërruari rikthimin e tij. Prezantimi zyrtar pritet në ditët e ardhshme, por braziliani tashmë mund të mbërrijë në Brazil të mërkurën për të filluar kapitullin e tij të ri.

Pas transferimit nga PSG, Neymar luajti vetëm shtatë ndeshje me Al-Hilal, duke shënuar vetëm një gol dhe duke dhënë tre asiste, shifra shumë larg pritshmërive të klubit.

Braziliani kaloi në një seri dëmtimesh duke përfshirë një problem serioz në gju të pësuar në tetor 2023 gjatë një ndeshjeje me kombëtaren braziliane.

Për arkat e Al-Hilal, investimi total përkthehet në shifra astronomike: rreth 30 milionë euro për çdo ndeshje të luajtur nga Neymar në Arabinë Saudite.

Në moshën 32-vjeçare, sulmuesi gjendet në një udhëkryq. Me rikthimin te Santos ai shpreson në një tjetër mundësi për të rinisur karrierën.

Tv Klan