Këtë të enjte në emisionin Opinion u diskutua në lidhje me denoncimin e bërë nga Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama për laboratorin e Xibrakës. Sipas Bardhit janë disa elementë që e lidhin Ramën me anëtarët e grupit kriminal të përfshirë në dosjen e Xibrakës.
I ftuar në studio ishte edhe gazetari Spartak Koka që na dha detaje nga dosja në fjalë. Ai u shpreh se nuk ka vetëm një person të paidentifikuar nga hetimi i kësaj çështje. Një prej tyre, sipas tij është edhe djali i një ish-kryeministri të kohës së komunizmi i cili ka njoftuar Genci Xhixhën se policia kishte ndërhyrë në Xibrakë.
“Kjo çështje mesa na rezulton të paktën ne që e kemi ndjekur nuk ka vetëm një person të paidentifikuar hetimi i kësaj çështjeje. Ka disa persona të tjerë të paidentifikuar. Një prej personave të paidentifikuar në hetim është ish-djali i një ish-kryeministri të kohës së komunizmit. E ke me letra, e ke me numër telefoni aty i cili ka qenë personi që ka njoftuar Genci Xhixhën që policia të paktën në transkriptimet e bisedave, i cili e njoftonte se policia kishte ndërhyrë në Xibrakë”, tha gazetari.
Më tej ai shtoi se “Sipas dokumenteve del i paidentifikuar. Po të fusësh numrin e telefonit dhe të dhënat e tjera të lidhura me përgjimin del se është djali i ish-kryeministrit të kohës së komunizmit, unë po rezervohem tek emrat për t’ua thënë. E keni me transkriptim i cili thotë…
Në orën 17:15 minuta i pandehuri Genci Xhixha i cili sipas fjalëve të tij në bisedë ndodhet në shtëpi telefonohet nga përdoruesi numrit telefonik 6731 dhe me radhë i cili në këtë bisedë e njofton se kanë arrestuar “Loken” dhe është ndërhyrë në Xibrakë. I pandehuri Genci Xhixha mundohet të mos bëjë asnjë koment dhe të shtiret në një bisedë normale duke lënë edhe një takim për kafe”, u shpreh gazetari.
Koka tregoi edhe disa prej personave të paidentifikuar që në dosje dalin me nofka.
“Këtu është një person me nofkën “Dudumi” i paidentifikuar person lidhje aktive e grupit shoqëror i cili merrej me të gjithë këtë organizim kriminal. Është një person tjetër, “Veza”, i cili është po person me lidhje të afërta dhe ka shkëmbime bisedash mes tyre për ta takuar në kuadër të veprimtarisë kriminale. Kemi personin tjetër, “Kinezi” i cili është shtetas i huaj ose “Karlos Kinezi”, i cili megjithëse në letra thuhet se ka hyrë bashkë me dy shtetasit kolumbianë nuk identifikohet sepse ka arritur t’u shpëtojë autoriteteve ligjzbatuese”, tregoi gazetari Koka./tvklan.al