Ashtu siç pritej, Kuvendi i Maqedonisë i hoqi imunitetin ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe miratoi gjashtë kërkesat e Gjykatës së Shkupit për caktimin e paraburgimit për të.

“Konstatoj se Kuvendi miratoi kërkesat për lejimin e masës së paraburgimit ndaj deputetit Nikolla Gruevski nga Gjykata Themelore në Shkup”

, tha kreu i Kuvendit

.

Seanca plenare u zhvillua normalisht. Debatet mes deputetëve munguan, kjo edhe prej mungesës së opozitës. Në seancë ishte ftuar edhe Presidenti Gjorge Ivanov, por edhe ai e bojkotoi atë.

Përpos vendimit me 2 vjet burg për rastin “Tanku”, Gruevski tashmë ka mbetur pa imunitet dhe pritet të gjykohet edhe për gjashtë vepra të tjera nga Prokuroria Speciale.

Nikolla Gruevski përfitoi azil politik në Hungari, ku dyshohet se është ndihmuar nga kryeministri Viktor Orban. Ky i fundit po përballet me trysninë e opozitës vendase, që kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për azilin e ish-kryeministrit maqedonas. Përpara deputetëve hungarezë, Orban mbrojti vendimin e qeverisë për t’i dhënë azil Gruevskit, por mohoi se ishte takuar me të.

“Ju e shihni vetë, thjeshtë nuk kam kohë as për të marrë ajër, po mbytem këtu”.

Opozita hungareze e akuzon Orbanin se ka strehuar një të dënuar nga drejtësia dhe kërkon dorëheqjen e tij.

Tv Klan