Për të pestin vit radhazi ka nisur në Vlorë në pikun e sezonit e turistik, Festivali Folklorik Mesdhetar “Vlora 2009”.

Një anije me vela është simbol i festivalit, si urë e komunikimit dhe e bashkëpunimit midis popujve të Mesdheut.

I ideuar nga Qendra Kulturore e qytetit dhe i  financuar nga Bashkia e Vlorës, ky festival ka për qëllim të promovojë burimet turistike të qytetit bregdetar, argëtimin e qytetarëve dhe turisteve si dhe evidentimin të trashëgimisë kulturore , përmes grupeve folklorike pjesëmarrëse.

Festivali do të mbahet deri ne 5 Gusht, dhe gjatë këtyre netëve, do të performojnë 14 grupe folklorike, të stacionuar në pjesë të ndryshme të qytetit, si në Sheshin Pavarësia, Sheshin e Flamurit, apo te Këndi i lojërave “Aulona”.

Grupet pjesëmarrës vijnë nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Turqia, Italia dhe grupi folklorik shqiptar “Labëria”. /tvklan.al

Gazetare Ornela Hila