Në zonën e parë e Lirë Ekonomike në Shqipëri (TEDA Tirana), ka nisur puna për ndërtimin e objekteve të shërbimit, ku do të gjenerohen 5-7 mijë vende pune të mirëpaguara.
Në inspektimin e punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri të ditur se kompanitë që do zhvendosen në këtë zonë do të kenë të gjitha shërbimet e nevojshme.
“Në këtë fazë do të ndërtojmë të gjitha ndërtesat e administratës, si dogana, tatimet, sigurisht edhe për Bashkinë e Tiranës, e cila administron për herë të parë si ent lokal një zonë të lirë ekonomike. Jemi mësuar se këto gjëra i bën privati, por është hera e parë që këtë punë e bën një ent publik.”
Kryebashkiaku Veliaj tha se “TEDA Tirana” është e dedikuar kryesisht për punët e së ardhmes, kryesisht për ‘data center’.
“Zona e lirë ekonomike TEDA është kryesisht për punët e së ardhmes, kryesisht për “data center”, pra për qendra të mëdha të të dhënave, për teknologjinë e informacionit, për inteligjencën artificiale dhe të gjitha punët që lidhen me sektorin e IT. Ftesa për të rinjtë është fokusohuni te punët digjitale. Mund të jemi të parët në Ballkan, që shërbejmë si një nyje për qendrat e të dhënave të të gjithë Ballkanit, e më pas kthehet në një frymëzim edhe për të tjerët, për ta ndjekur këtë hap.”
Përmes “TEDA Tirana”, Bashkia e Tiranës synon të thithë investime të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus tek industritë prodhuese, si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logisticc.
Tv Klan