Zona e parë e Lirë Ekonomike në Shqipëri (TEDA Tirana), po merr formën e saj përfundimtare. Tashmë, ka nisur puna për ndërtimin e objekteve të shërbimit, punime të cilat u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Në këtë fazë do të ndërtojmë të gjitha ndërtesat e administratës, si dogana, tatimet, sigurisht edhe për Bashkinë e Tiranës, e cila administron për herë të parë si ent lokal një zonë të lirë ekonomike. Jemi mësuar se këto gjëra i bën privati, por është hera e parë që këtë punë e bën një ent publik. Ajo që shikoni është një hapësirë disa hektarëshe, e cila do të parcelizohet, duke u ndarë në seksione dhe rrugica më të vogla, ku secila prej kompanive do të marrë hapësirën e saj për të zhvilluar aktivitetin ekonomik. Pra, një one-stop-shop, afër Bashkisë së Tiranës, doganave, tatimeve, duke u siguruar që çdo gjë ndodh brenda këtij kantieri”, tha Erion Veliaj.

Veliaj tha se Teda Tirana është e dedikuar kryesisht për punët e së ardhmes, kryesisht për ‘data center’, madje ka pas dhe interes nga kompani të huaja.

“Mund të jemi të parët në Ballkan, që shërbejmë si një nyje për qendrat e të dhënave të të gjithë Ballkanit, e më pas kthehet në një frymëzim edhe për të tjerët, për ta ndjekur këtë hap. Ne jemi pionerët e parë në këtë eksperiment. Kemi disa kompani të para nga Izraeli dhe nga vende të tjera të BE, të cilat duan të instalohen këtu”, tha Erion Veliaj.

Zona e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjik (TEDA) sipas kryebashkiakut Veliaj do të gjenerohen 5-7 mijë vende pune të mirëpaguara.

Klan News