Kryqi i Kuq në Austri ka krijuar një aplikacion të quajtur “Stopp Corona”, që do t’u vijë në ndihmë qytetarëve për të shënuar të gjitha kontaktet që kanë patur me persona të caktuar.
Gerry Foitik, drejtuesi i bordit të Kryqit të Kuq të Austrisë thotë se ky aplikacion synon të ulë numrin e shërbimeve mjekësore.
“Sa herë që do të keni kontakte me një person, mund ta regjistroni në aplikacion në mënyrë anonime, kështu që nëse infektoheni nga koronavirusi, mund të informoni të gjithë personat me të cilët keni pasur kontakt gjatë 48 orëve të fundit, dhe në këtë mënyrë edhe ata mund të izolohen për të ndalur zinxhirin e infeksionit”, tha ai.
Edhe pse Kryqi i Kuq i Austrisë thotë se ky aplikacion ruan anonimatin, aktivisti austriak Max Schrems mendon ndryshe. Ky i fundit shprehet se aplikacion nuk e ruan anonimatin sepse çdo përdorues ka një numër identifikimi.
Megjithatë, ai thotë se nuk ka probleme të theksuara në këtë aspekt nëse do të merren për bazë ligjet e Bashkimit Europian për të drejtën e privatësisë. /tvklan.al