Barcelona prej kohësh është në kërkim të një sulmuesi të majtë, për të kompletuar skuadrën në këtë merkato vere.

Objektivi kryesor i katalanasve ka qenë padyshim ylli spanjoll, Nico Williams. Sulmuesi i Athletic Bilbao, u kthye edhe në një ëndërr të tifozëve, që dëshironin ta shihnin në një ekip me Yamal, por duket se kjo nuk do të realizohet, të paktën për këtë sezon.

Drejtuesit e Barcelonës, nuk kanë arritur dot një marrëveshje me klubin bask për Ëilliams dhe kanë kaluar në objektiva të tjerë.

Media pranë klubit, “Mundo Deportivo” raporton se drejtuesit tashmë synojnë sulmuesin e Milanit, Rafael Leao.

Portugezi vlerësohet rreth 100 milionë euro nga klubi kuqezi, një shifër që Barcelona nuk e përballon dot. Megjithatë spanjollët do të tentojnë transferimin, duke futur në marrëveshje një ose më shumë lojtarë, në mënyrë që italianët të ulin çmimin.

Disa nga lojtarët që përfliten se mund të hyjnë në bisedime, janë sulmuesit Raphinha dhe Ferran Torres apo edhe emra si Andreas Christensen, Alejandro Balde, Ignacio Martinez dhe Frenkie De Jong.

Gjithçka duket shumë e vështirë, por katalanasit do të provojnë, kjo edhe për shkak të marrëdhënieve shumë të mira me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes.

Në rast se dështon pista “Leao”, te Barcelona kanë si alternativa të tjera, Frederico Chiesa-n nga Juventusi dhe Kingsley Coman nga Bayern Munich. /tvklan.al