Jack Teixeira, një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA-së, i cili zbuloi dokumentet e Pentagonit vitin e kaluar është dënuar me 15 vjet burg.
22-vjecari pranoi fajësinë në fillim të këtij viti për gjashtë akuza për mbajtjen dhe transmetimin e qëllimshëm të informacionit për mbrojtjen kombëtare.
I paraqitur në gjykatë i veshur me uniformën ngjyrë portokalli të burgut, ai nuk shfaqi asnjë reagim, ndërsa i jepej dënimi nga gjykatësja e qarkut Indira Talwani. Përpara se të dënohej, ai kërkoi falje për veprimet e tij.
“Doja të them se më vjen keq për të gjithë dëmin që solla dhe shkaktova”, tha Texeira.
Teksa punonte në një bazë të Gardës Kombëtare Ajrore, i riu mori materiale duke përfshirë harta, imazhe satelitore dhe inteligjencë për aleatët e SHBA-së, dhe më pas i postoi ato dokumente në një platformë në internet. Ndër dokumentet që ai ndau ishin edhe ato që përmbanin informacione konfidenciale për luftën në Ukrainë.
Shkelja e sigurisë ngriti alarmin mbi aftësinë e Amerikës për të mbrojtur sekretet e saj më të rëndësishme dhe e detyroi administratën e Presidentit Joe Biden të përpiqet të frenojë pasojat diplomatike dhe ushtarake.
Klan News