Kanceri i mushkërisë është një nga llojet më të zakonshme dhe serioze të kancerit. Sot duhanpirja konsiderohet si shkaku kryesor i kancerit të mushkërive, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.

Për këtë temë, ka folur onkologia, Kleida Mati, më emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, e cila u shpreh se shqiptarët, krahasuar me vendet e tjera evropiane, mbeten me një ritëm shumë të lartë duhanpirjeje.

Ajo ngre alarmin dhe shprehet që mënyrat alternative të duhanpirjes, siç janë cigaret elektronike, mund të shkaktojnë kancer po njësoj si cigaret normale.


Kleida Mati: Kanceri i mushkërisë, mund të themi që është një ndër sfidat më të mëdha, për sa i përket tumoreve malinje. Në Shqipëri akoma më shumë, sepse është kanceri më i shpeshtë që ne kemi. Kjo, për shkak të faktorit të riskut, që është duhanpirja. Shqiptarët vazhdojnë të mbeten, në krahasim me vendet e tjera evropiane, me një ritëm duhanpirje shumë të lartë, burrat kryesisht, gratë më pak, por edhe trendi i duhanpirjes te gratë është duke ndryshuar, është duke u rritur. Por burrat, absolutisht që janë më të lartët që ka në Evropë. Duke qenë që duhanpirja është faktori kryesor i kancerit, kjo e bënë kancerin pak të…

Agida Koçi: A ka diferencë me mënyrat e reja të duhanpirjes që kanë hyrë së fundmi në vendin tonë, të ardhura patjetër nga jashtë? Që mendohet se nuk ka nikotinë, por pastaj studime të ndryshme thonë që…

Kleida Mati: Në fakt, kjo është një pyetje shumë e mirë sepse unë e kam vënë re që tashmë, nëpër rrjetet sociale, janë duke u reklamuar edhe nga “influencers”, nga persona me ndikim, këto mënyrat alternative të shëndetshme, në thonjëza, të duhanpirjes. Nuk ka një mënyrë alternative të shëndetshme të duhanpirjes. Këtë duhet ta theksojmë, dhe për mua është një gabim shumë i madh ky që është duke ndodhur tani dhe persona me ndikim janë duke e folur, e duke e reklamuar këtë gjë, sepse ato shkaktojnë po njësoj kancer, siç është duhanpirja. Madje ka disa studime, që janë bërë për format alternative, që supozohet të jenë pa djegie. Në një prej këtyre studimeve, të fundit që kam lexuar, është parë që në ajrin ku emetohen substancat kimike që dalin nga duhanpirja e këtyre pajisjeve të reja, gjenden disa molekula të cilat në pikën e djegies së pretenduar në këto pajisje, nuk duhet të ekzistojnë, nuk duhet të ishin. Kjo tregon që ndoshta aty mund të ketë në rezistencën ku ndodh djegia e duhanit, mund të jetë që ka pika të nxehta që shkojnë në temperatura edhe më të larta, se ndoshta edhe vetë duhanpirja, të cilat emetojnë në ajër këto substancat, që në fakt janë kancerogjene. Vetëm në Shqipëri më duket sikur po e reklamojnë dhe vendet në zhvillim ç’është e vërteta janë duke…

Agida Koçi: Ato janë të lejueshme edhe në ambiente të mbyllura, përveç të tjerash.

Kleida Mati: Jo, ato nuk janë të lejuara për t’u përdorur në ambiente të mbyllura. Në ambiente të mbyllura mund të jenë vetëm të lejueshme, vetëm ato që bëjnë “vaping”. Po ky nuk është “vaping”. Po flasim për këto pajisjet të cilat supozojmë që nuk e djegin duhanin.

Katerina Trungu: Ka vende në botë që kanë filluar ta ndalojnë përdorimin e “vaping”.

Kleida Mati: Po, absolutisht. Një gabim tjetër i madh që është duke ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri, është që biznese të ndryshme janë duke mbuluar, le të themi, këtë pjesën e duhanpirjes me këto vetratat të cilat thonë që jemi në një ambient të hapur, ndërkohë vetrata është plotësisht e mbyllur. Prindër që pinë duhan ngjitur me fëmijët e tyre, njerëz që pinë duhan ndërkohë që janë duke ngrënë, këto janë plotësisht të pa…

Katerina Trungu: Apo edhe fakti që tavolina ngjitur po pi duhan, unë nuk pi duhan. Përbën rrezik edhe për mua kjo gjë?

Kleida Mati: Sigurisht që po. /tvklan.al