Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Forcat policore të Tiranës, kanë arritur gjatë një operacioni të befasishëm, të vënë në pranga gjashtë të rinj, shpërndarës të drogës në kryeqytet. Nisur nga disa të dhëna paraprake, policia është vënë në punë në orët e mbrëmjes, kohë kur shpërndarësit e heroinës u afrohen lokaleve me të rinj. Kështu është bërë i mundur arrestimi i gjashtë personave dhe gjetja e 1 kg heroine dhe 300 gr kokainë.

Fillimisht është kapur një person, i cili shpërndante drogë për përdoruesit në afërsi të rrugës “Don Bosko”, e më pas janë kapur dhe të tjerë, si dhe janë bërë kontrolle në banesat e tyre, ku përveç drogës janë gjetur edhe dy pistoleta Zaztava. Në pranga është vënë edhe bashkëshortja e njërit prej shpërndarësve të drogës I. Ç. pasi në momentin që policia mbërriti në shtëpinë e saj për kontroll, gruaja po tentonte të hidhte nga dritarja sasinë e drogës.

Nga kontrollet e banesës së njërit prej të ndaluarve, u gjetën edhe pesë pasaporta dhe 3 dëshmi për drejtim automjeti të falsifikuara. Dy prej të rinjve të ndaluar, janë të dënuar më parë për vepra penale të vjedhjes dhe të falsifikimit. Ndërsa njëri nga anëtarët e grupit M. D. është arrestuar muaj më parë në Itali, pasi po udhëtonte me një automjet ku u gjetë një sasi droge./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj