9 muaj pa takuar familjarët e tij, avokati i Thaçit tregon për gjendjen e ish-presidentit të Kosovës
Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet prej 16 muajve në paraburgim në Hagë, aty ku vijon gjyqi ndaj tij dhe 3 përfaqësuesve të tjerë të UÇK, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit. Avokati i tij, në një lidhje me emisionin “Opinion” tregoi mbrëmjen e kësaj të mërkure se për rreth 9 muaj, Thaçi ka qenë në izolim të plotë dhe nuk ka mundur të takojë asnjë prej familjarëve të tij, për shkak të masave anti-Covid.
Emocionalisht në çfarë gjendje është Thaçi?
Prej momentit kur është dërguar në paraburgim, tani bëhen 16 muaj ka qenë në një gjendje jashtëzakonisht të mirë shpirtërore, i përqendruar vetëm në përgatitjen e mbrojtjes së tij. Emocionalisht është shumë i fortë.
Me se merret gjatë ditës, ndjek lajmet, zhvillimet, lejohet?
Jo. Lexon kryesisht literaturë që nuk ka të bëjë as me Ballkanin. Njihet me shkresat e lëndës që ne i kërkojmë komente dhe përgjigje…
Është në izolim të plotë?
Është në burg, burgu është burg edhe aty është i izoluar.
Lejohet të ketë kontakte, vizita, njerëz?
Mos harrojmë diçka, deri në fund të Korrikut në mos gabohem, ka qenë në izolim të plotë, me pretendimin e masave parandaluese kundër Covid.
Izolim të plotë?
As nuk ka mundur të takojë asnjë anëtarë të familjes. Rreth 9 muaj ka qenë në izolim të plotë. Asnjë vizitë. Vizitat e para familjare janë lejuar në periudhën e verës, në korrik, mos gabohem.
Po në raport me njëri-tjetrin komunikojnë normalisht?
Nuk i di të gjitha detajet e jetës brenda burgut, por mbase kanë kontakte, aktivitete të përbashkëta. Nga ana tjetër kanë pasur qasje të kufizuara edhe nga burimi i informacionit. Për shembull deri vonë, vetëm transmetuesi publik i Kosovës ka qenë duke u transmetuar aty dhe kanë pasur shumë vështirësi. Tani mbase kanë kuptuar që edhe Klani i Shqipërisë shihet brenda hapësirave të burgut. Mirëpo koha e pandemisë e ka vështirësuar jashtëzakonisht qëndrimin e tyre atje sepse për rreth 9 muaj kanë pasur probleme edhe që të takohen me mbrojtjen fizikisht. Kemi komunikuar përgjithësisht nëpërmjet videolinqeve.
Gjyqi ndaj UÇK, avokati i Thaçit: Mund të zgjasë deri në 10 vjet
Avokati i ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Dastid Pallaska në një intervistë për emisionin “Opinion” tha mbrëmjen e kësaj të mërkure se gjyqi ndaj klientit të tij dhe 3 të tjerë në gjykatën speciale mund të shkojë deri në 10 vjet.
Dastid Pallaska: Ish-ambasador i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq në një intervistë është takuar me Dick Marty dhe ka dorëzuar një dosje 1000 faqe. Para dorëzimit të kësaj dosje ai thotë që Dick Marty nuk ka pas asnjë provë tjetër para kësaj dosje. Serbia e ka përkthyer në gjuhën frënge për arsye se ai urren amerikanët, nuk e përdor këtë gjuhë për punë edhe pse është i rrjedhshëm në atë gjuhë.
Blendi Fevziu: Sa dëshmitarë ka paraqitur akuza? Është e vërtetë që janë paraqitur mbi 300 dëshmitarë?
Dastid Pallaska: Kjo është bërë publike edhe në seanca, numri i dëshmitarëve është i jashtëzakonshëm, i paimagjinueshëm. Nga procedurat e ngjashme për shqyrtimin e parë mund të nevojiten deri në 10 vite.
Blendi Fevziu: 10 vite vetëm për të shqyrtuar çështjen? Ndërkohë ka dëshmitarë shqiptarë?
Dastid Pallaska: Nuk është kjo me rëndësi. Edhe viktimat e krimeve që kanë ndodhur në kaosin e luftës apo pasluftës, viktimat e krimeve individuale, njerëzit e papërgjegjshëm nuk do të marrin drejtësi në këtë rast për arsye se ata nuk do të jenë të interesuar që dikush të dënohet politikisht vetëm sa për të thënë që u vendos ekuivalencë morale mes krimeve serbe…
Të akuzuarit e UÇK, avokati i Thaçit: Prokuroria i bën përgjegjës edhe për krime që nuk kanë pasur dijeni
Avokati i Hashim Thaçit në çështjen në Gjykatën Speciale të Hagës, Dastid Pallaska, ka sqaruar në emisionin “Opinion” këtë të mërkurë se Prokuroria Speciale në aktakuzën e saj e sheh UÇK-në të gjithën si një strukturë kriminale.
Dastid Pallaska: Së pari më duhet të sqaroj shkurtimisht se ato përshkrimet e pozitave që mbajnë ish-Presidenti Thaçi dhe të tjerët në këtë rast janë përshkrime të bazuara në aktakuzë. Përndryshe sa i përket aktakuzës edhe pse nuk dëshiroj që të lodh shikuesin me çështje teknike-juridike, për ta përmbledhur në thelb, prokuroria nuk pretendon se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup i vogël kriminal, apo një ndërmarrje e përbashkët kriminale, e cila nuk ka pasur qëllim luftën kundër okupatorit apo çlirimin e Kosovës, por ka pasur qëllim kryerjen e krimeve. Mirëpo sipas prokurorisë, atë e keni në paragrafin 35 të aktakuzës që është e publikuar, anëtarë dhe mjete të kësaj ndërmarrje të përbashkët kriminale kanë qenë të gjithë anëtarët e UÇK-së.
Blendi Fevziu: Sipas aktakuzës këta janë një grup kriminal brenda UÇK, por gjithë UÇK shihet si një strukturë kriminale?
Dastid Pallaska: Absolutisht!
Pallaska sqaroi se nuk ka asnjë akuzë personale ndaj Thaçit megjithatë, ai shtoi se ata akuzohen edhe për edhe për krime që nuk kanë pasur dijeni, nuk kanë dhënë pëlqim, por është dashur t’i parashikojnë se mund të ndodhnin.
Dastid Pallaska: Baza juridike e pretenduar e aktakuzës mbështetet në parimin ndërkombëtarisht kundërthënës të ndërmarrjes së përbashkët kriminale e që ku personat që kanë një plan kriminal lidhen dhe ngarkohen me përgjegjësi penale, pavarësisht pjesëmarrjes së tyre të drejtpërdrejtë ose jo. Nuk ka akuza për krime të kryera në mënyrë të drejtpërdrejtë nga klienti im posaçërisht… E gjithë aktakuza është e mbështetur në ndërmarrjen e përbashkët kriminale që i bie që edhe ata në një formë edhe më kundërthënëse të këtij koncepti, ajo është ndërmarrje e përbashkët kriminale kategoria 3 që do të thotë se janë përgjegjës edhe për krime që nuk kanë pasur dijeni, nuk kanë dhënë pëlqim, mirëpo janë dashur që t’i parashikojnë se mund të kryhen. Duhet të parashikonin se mund të ndodhnin.
Pallaska tha se krimet në aktakuzë bazohet në periudhën e luftës dhe të pasluftës./tvklan.al