#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Sokol Kasa, Lindita Shabaj, Jaho Xhebraj, Xhoana Qohaj, Ermal Duka, Fabio Skuqi, Pëllumbesha Lasku, Edlir Bilo, Olsi Melko, Dhurata Thanasi
Tradita shumëvjeçare e emisionit “Opinion” në prag të festave të fundvitit, fokusimi te agroturizmi, bujtinat e vogla, hotelet e reja, kryesisht ato familjare, fermat apo artizanët. Janë pjesa më e rëndësishme e zhvillimit të turizmit në Shqipëri,janë pjesa që e riktheu vëmendjen e shtypit ndërkombëtar te Shqipëria dhe që merr vlerësimet më të mëdha nga turistët që duket se po dynden në vend ditët e fund. 9 agroturizme, bujtina, mundësi të vogla biznesi të shtrira nga veriu në jug të Shqipërisë që tregojnë secili historinë, si kanë filluar, me se merren dhe çfarë gatuajnë, ndërsa sofrat janë plot me gostitë e përgatitura me zemër.
Mrekullia e Pukës i zhduku të bijës astmën, Lasku: Si braktisa Tiranën dhe Gjermaninë pas 20 vitesh
“Nga veriu në jug, çfarë ofrojnë bujtinat shqiptare”, është kjo tema e emisionit “Opinion” në Tv Klan. E ftuar në studio është Pëllumbesha Lasku, e cila ka rrëfyer si e mori vendimin për të investuar në vendlindje, në Pukë.
Ajo ka treguar se për 20 vite ka jetuar mes Tiranës dhe Gjermanisë, mirëpo në momentin kur së bijës i është shfaqur astma, ata kanë vendosur të të jetojnë në Pukë, ku dhe tregon se ka ndodhur mrekullia.
Pëllumbesha Lasku: Ne emigruam brenda qytetit në Tiranë, siç emigroi çdo njeri. Pas 20 e ca viteve punë në Tiranë dhe Gjermani u riktheva në Pukë.
Blendi Fevziu: Pra, ju ikët nga zona?
Pëllumbesha Lasku: Po, pas 20 vitesh u rikthyem në qytetin e lindjes. Unë kisha gocën e vogël që kishte probleme me astmën. E kontrolluam gjithandej dhe gjëja me kryesore dhe po ju them me shumë bindje, turizmi i Pukës është një turizëm shëndetësor. Lavdi Zotit, goca pas 3 vitesh që jetoi në Pukë, gëzoi një shëndet të plotë, iu zhduk astma komplet.
Blendi Fevziu: Sa dhoma keni tani?
Pëllumbesha Lasku: Për momentin, kemi 30 dhoma. Kemi 11 vite që kemi investuar në atë vend. Puka ka turizëm, këto 2-3 vitet e fundit ka pasur goxha lëvizje. Që në kohët e karantinës, edhe brenda vendit, kishim turistë jashtëzakonisht shumë. Është një vend për t’u admiruar. Ka një zemër shumë të madhe. Nuk e përshkruaj dot me fjalë. E vetmja gjë tek puka është promovimi, promovimi i saj ka mbetur shumë mbrapa.
“U ktheva nga Amerika e vendosa të hap restorantin”, Lindita tregon si i lindi ideja e biznesit
Emisioni “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme po trajton temën “Nga veriu në jug, çfarë ofrojnë bujtinat shqiptare”.
E ftuar në studion është Lindita Shabaj nga restorant “Te Cemi” në Tamarë e cila e tregon se si vendosi që të niste biznesin e saj. Ajo shprehet se vizita në Amerikë tek mamaja e saj e bëri që të vendoste hapjen e restorantit. Lindita tregon se klientela e tyre është kryesisht shqiptare.
Blendi Fevziu: Kur e keni hapur restorantin?
Lindita Shabaj: Po bëhen 6 vite. Kalon koha shpejt.
Blendi Fevziu: Po si e nisët?
Lindita Shabaj: Edhe ne si zonja më parë kishim ikur prej vendit. Ishim larguar nga Tamara. Shkova në Amerikë të takoj mamin, ku mami punonte në një restorant shqiptar. Aty shkova ta shoh te puna, duke ndenjur dy javë me të. Kur erdha në Shqipëri i them tim shoq që do të hapim restorant dhe kështu lindi ideja. Ishte rregulluar rruga e ishte kthyer në fshat turistik.
Blendi Fevziu: Çfarë janë turistët që vijnë kryesisht?
Lindita Shabaj: Turistët, ne klientelën e kemi shqiptare përgjithësisht sepse shqiptarët e duan restorantin, e dashurojnë ushqimin. Shqiptarë nga e gjithë Shqipëria. Turistë ka, por nuk janë shumë restorantesh, por janë marketesh. Pjesa më e madhe kanë atë mënyrën e vetë të të ushqyerit.
Ndërsa sa i përket ushqimeve në restorant Lindita shprehet se janë të gjitha bio të zonës dhe për këtë bashkëpunon me fshatarët e zonës.
U kthye nga Kreta prej alergjisë, sot shijon suksesin e një prej “dallëndysheve të para” të turizmit
Olsi Melko vendosi të shkonte në vitin ’91 në Kretë si të gjithë emigrantët për t’u rikthyer dhe të ndërtonte një shtëpi që më vonë do të kthehej në një agroturizëm. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan ai tregon sesi nisi ndërtimi i “Vilës Melko” në Boboshticë në vitin 2001 kur nuk ishte aspak e lehtë. Sot ai është krenar që e quan biznesin e tij si një nga “dallëndyshet e para” të turizmit në zonë.
Blendi Fevziu: Si nise?
Olsi Melko: Edhe ne kurbetlinj.
Blendi Fevziu: Ku ishe?
Olsi Melko: Në Kretë kam qenë. Si gjithë djemtë e rinj, kam shkuar në Kretë.
Blendi Fevziu: Ike që në ’90?
Olsi Melko: Ika në ’91. Diku në ’98-99 pata një problem alergjik dhe fillova ndërtova një shtëpi si gjithë shqiptarët.
Blendi Fevziu: Po në Kretë çfarë pune bëje?
Olsi Melko: Me ndërtim merresha në Kretë. Si gjithë shqiptarët dëshira e madhe që të kishim një shtëpi dhe unë erdha ndërtova një shtëpi në Korçë, në Boboshticë.
Blendi Fevziu: Domethënë, gjithë lekët e emigracionit i bëre shtëpi në Boboshticë, po.
Olsi Melko: Pa më vonë, duke parë nevojat e lëvizjet, filluan këto mendimet.
Blendi Fevziu: Kur e ndërtove shtëpinë?
Olsi Melko: Në ‘99 e filluam dhe më 15 gusht 2001 e hapëm si biznes.
Blendi Fevziu: Në atë kohë edhe rruga për të ardhur në Korçë ishte e vështirë.
Olsi Melko: Mos e pyet, ishte e vështirë, rrugë vere, shumë probleme. Megjithatë me kurajën e madhe, e nisëm.
Blendi Fevziu: Çfarë bëje, lakror?
Olsi Melko: E nisëm me mishin e pjekur, lakrorin, me të gjitha këto.
Blendi Fevziu: Ti e ndave mendjen që s’doje të shkoje më në Kretë.
Olsi Melko: Nuk doja më dhe vazhduam në Boboshticë. Rrugë e gjatë patjetër, me shumë sfida e vështirësi, por edhe suksese nuk diskutohet.
Blendi Fevziu: Domethënë ti ke 23 vjet.
Olsi Melko: Po, mund të them që “Vila Melko” është nga dalllëndyshet e para të turizmit në qarkun e Korçës.
Olsi Melko shton se sot ka edhe 8 dhoma për të akomoduar turistët. Produktet janë plotësisht të zonës ndërsa kanë edhe dele e lopë prej të cilave sigurojnë një pjesë të prodhimeve.
Amanet nga babai që ka ndërruar jetë, Jaho Xhebro i dhuron Fevziut porosinë nga i ati
Jaho Xhebro nga “Bujtina Hadër Xhebro”, në fshatin Nivicë të Tepelenës i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar historikun e nisjes dhe zhvillimit të biznesit të tyre.
Xhebro ndryshe nga të ftuarit e tjerë në studio u shpreh se nuk është larguar nga Shqipëria asnjëherë, por vit pas viti e ka zhvilluar biznesin e tyre.
Jaho Xhebro: Unë jam krejt i kundërti i këtyre nuk kam qenë në emigracion. Ne kemi që në ‘91 që jemi marrë, me përpunimin e qumështit. Kemi hapur një baxho në Nivicë. Punuam duke grumbulluar qumështin e zonës, qoftë të zonës sonë, qoftë edhe të zonës së Vlorës.
Blendi Fevziu: Po mir nuk u braktis fshati në vitet ‘90?
Jaho Xhebro: U braktis. Unë qëndrova aty me byrazerin tim që ka ndërruar jetë. Punuam, hapëm baxhon dhe me kalimin e kohës nevoja na detyroi që të hapim një baxho në mal, 5 km nga Nivica për t’u ardhur në ndihmë edhe barinjve edhe puna e interesit që qumështi të vinte më i freskët.
Blendi Fevziu: Në punë nga mëngjesi në dark ee?
Jaho Xhebro: Po po. Çoheshim në 5 të mëngjesit dhe flinim në 3 të mesnatës. Bulmeti sa i bardhë është, aq i zi bëhet. Punonim nga 20 Maji deri ne 15 Gusht dhe më lindi ideja e bërjes së dhomave. Bujtinën e filluam në 2018 për ta rindërtuar ku kam marrë edhe një fond. Ndërtuam një bujtinë të vogël, 8 dhoma dhe sot e kemi funksionale.
Ndër të tjera teksa tregonte prodhimet e bulmetit Jaho Xhebro i bëri edhe një dhuratë të veçantë gazetarit Blendi Fevziu. Babai i tij një fans i emisionit “Opinion” i kishte lënë një amanet të birit për Fevziun.
Jaho Xhebro: Kjo ka një histori të veçantë, por gabimi im se i kam hequr mbishkrimin. Këtë raki e ka nxjerrë babi im që ka ndërruar jetë para dy vitesh, 101 vjeç dhe e ka pasur enkas për juve. Ma ka lënë amanet dhe nëse do të vijë në Nivicë do ja dhurosh, ‘nëse s’do të kem mundësi unë të jem gjallë kur të kesh mundësi do ja çosh’. Edhe e kisha si detyrim. Kishte mbishkrimin, por punë e grave e ke parasysh. E kishte shkruar me dorën e tij për Blendi Fevziun, sepse ishte një fans i flaktë i emisionit “Opinion” dhe e kishim problem se na merrte pultin dhe nuk na lejonte të shikonim asnjë sport.
Blendi Fevziu: Unë tani rakinë po e marr dhe do ta vendos këtu. Këtë nuk do ta konsumoj do ta mbaj te reliket në zyrë.
Jaho Xhebro: Është raki mbi 8-vjeçare
Blendi Fevziu: Do ta mbaj te reliket, por duhet të ma kishe sjellë edhe shkrimin e babait sepse qenka shumë e rrallë.
Jaho Xhebro tregon se turistët janë shqiptarë dhe të huaj nga shumë vende të botës.
/tvklan.al