#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar ; Artemis Peca, Merin Maci, Klodiana Lala, Tedi Blushi, Artan Hoxha, Baton Haxhiu
Arrestimi i kreut të PL, Ilir Meta do të jetë në fokus të diskutimeve mbrëmjen e kësaj të hëne në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan. Ai u arrestua në kthesën e Kamzës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), teksa ishte nisur për në konferencë. Sipas informacioneve të siguruara është bërë e ditur se ai ishte i pashoqëruar nga gardistë dhe se ishte duke u kthyer nga Kosova. Arrestimi i tij u bë nga policia, dhe mbi të janë ngritur akuzat korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim pasurie. Ndërkaq i është vendosur masa “arrest me burg”, kurse për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi me të cilën u divorcua pak muaj më parë, është caktuar “masa detyrim paraqitje”. SPAK lëshoi urdhër-arrest dhe për dy persona të tjerë. Të gjitha zhvillet për sa i përket kësaj çështjeje do të jenë në qendër të diskutimeve të emisionit “Opinion” përgjatë javës.
“Mendoja se ishte atentat dhe do na vrisnin”, rrëfimi i Pecës që shoqëronte Metën kur u ndalua
Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Artemis Peca ka qenë një nga dëshmitarët e momentit të arrestimit të ish-Presidentit, pasi po drejtonte automjetin ku gjendej Ilir Meta.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Artemis Peca thotë se efektivët e policisë i kanë ndaluar në mes të rrugës të armatosur teksa shton se sipas tij, i kanë nxjerrë në mënyrë çnjerëzore nga makina.
Artemis Peca: Me Metën kemi qenë në makinë, kemi udhëtuar prej 2 orësh në Kosovë, ishim për qejf në Kosovë dhe bëmë dhe takime partie me kryetarin e PL-së së Kukësit.
Blendi Fevziu: Ju në orën 10 jeni nisur nga Prevalla. Në çfarë rrethanash u ndaluat?
Artemis Peca: Rrethana komplet… Një akt kriminal, një akt i tmerrshëm. Nuk na ka bërë shenjë të ndalohemi, na kanë bllokuar rrugën. Unë isha në timon, vetëm unë dhe Meta.
Blendi Fevziu: Pse nuk ishte Garda?
Artemis Peca: Ne ishim në fundjavë, kishim takime partie. Unë si Sekretar Organizativ, jam i detyruar që ta shoqëroj. Erdhën nga ana e të dyve, ishin të armatosur me kallashnikov, na hapën të 2 dyert në mënyrë çnjerëzore. Makina nuk ka “lock door” dhe hapet lehtësisht dhe nga jashtë dhe na hapën të dy dyert direkt dhe na thanë që do të vini me ne. Meta vetëm ka thënë se kush jeni ju, na jepni një vendim. Ata as nuk na dhanë një vendim dhe as një dokument, asgjë.
Nuk është e vërtetë deklarata e policisë. Më kanë shoqëruar dhe mua, më kanë nxjerrë në mënyrë çnjerëzore, më kanë përplasur dhe më kanë vënë prangat. Ishin të maskuar. Metën e kanë shoqëruar me makinën e bardhë. Nuk kanë thënë që jemi policia. Mendoja që pengmarrje apo atentat që mund të na vrisnin.
Blendi Fevziu: A i bënë komunikim Metës?
Artemis Peca: Vetëm e futën në makinë. E kanë goditur Metën me forcë nga koka. Meta nuk është njeri i thjeshtë. As nuk është kriminel. Nuk ka pasur kundërshtim. Pastaj kam qëndruar 40 minuta me pranga në duar. Ne na ndanë që në fillim nga Meta. Unë kërkova që të më lironin prangat, më linin me pranga dhe ushtronin presion. Pastaj m’i hoqën prangat dhe më thanë që do të rrish këtu. Ata nuk e dinin se çfarë do të bënin me mua. Më mbajtën aty deri në momentin që është shoqëruar Meta. Më pas shkova tek PL për të marrë pjesë në konferencë.
“As drejtuesit e Gardës nuk e dinin ku ishte Meta”, Blushi: Në fillim menduam se ishte një pengmarrje mafioze
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi shprehet se drejtuesit e Gardës së Republikës si dhe dy oficerët që kanë detyrë mbrojtjen e Ilir Metës nuk kishin dijeni se ku ndodhej ish-Presidenti në momentin e arrestimit.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Blushi thekson se ka kontaktuar me Gardën pas momentit të marrjes së informacionit, pasi fillimisht kanë menduar se ka të bëjë me një pengmarrje.
Blendi Fevziu: Përse ish-Presidenti nuk shoqërohej nga Garda?
Tedi Blushi: Sepse Presidenti që gjatë ushtrimit të detyrës e ka refuzuar vetë Gardën e Republikës sespse nuk ka pasur nevojë të mbrohet nga askush.
Blendi Fevziu: Mirë po Garda ka detyrimin ta mbrojë…
Tedi Blushi: Garda padiskutim ka detyre të mbrojë ish-Presidentin e Republikës por ajo që konstatova unë edhe në komunikimet me drejtuesit e Gardës në momentin që u lajmërova nga mediat sepse gjithçka ka ndodhur… ka qenë një show gangsterësh e mirëorganizuar. As Garda vetë nuk e dinte ku është Presidenti. As drejtuesit e Gardës nuk e dinin se ku ishte ish-presidenti.
Blendi Fevziu: Ju keni komunikuar me Gardën?
Tedi Blushi: Po padiskutim po.
Blendi Fevziu: Dhe çfarë ju thanë?
Tedi Blushi: Nuk e dimë ku është Presidenti. Kam kontaktuar me dy oficerët që zoti Meta ka nga Garda e Republikës dhe as ata nuk e dinin se ku ishte. Në fillim ne menduam se ka qenë një pengmarrje mafioze. Tani të rrëmbesh ish-Presidentin e Shqipërisë nmë këtë formë banditeske, një terror i pastër dhe kriminal atëherë më thoni se çfarë garancie kanë qytetarët që një ditë të bukur…
Ndër të tjera Blushi thekson se efektivët që kanë shoqëruar Metën iu kanë drejtuar pistoletën edhe qytetarëve që kanë filmuar ngjarjen.
“Shikojeni me kujdes këta banditë që i drejtojnë pistoletën qytetarëve që filmojnë sepse nuk e dinin se çfarë po ndodh. I drejton pistoletën një qytetari, shikojeni. Këto janë një grup terrorist në shërbim të një strukture terroriste kriminale që sot ka pushuar së ekzistuari dhe që quhet SPAK”, shprehet Blushi ndër të tjera.
Arrestimi i Metës, Baton Haxhiu: Veprimet e policisë “banditeske”, i kanë marrë fytyrën Policisë së Shtetit
“E patolerueshme, ky rast e ka viktimizuar Metën,” kështu ka deklaruar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan Baton Haxhiu. Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se veprimet e policisë në arrestimin e Ilir Metës ishin joprofesioniste, teksa i quajti “banditeske”.
Baton Haxhiu: Ajo që e dallon Policinë e Shtetit nga banditët është mënyra e sjelljes dhe mënyra se si planifikohet një operacion. E patolerueshme, nëse do të ishin të gjitha akuzat kundër Metës të verifikuara. Ky rast e ka viktimizuar Metën dhe drejtori i policisë sot e ka turpëruar policinë me urdhrin e tij nëse e ka dhënë. Pa marrë parasysh se kush e ka tejkaluar dhe procedurat dhe mënyrën e arrestimit. Drejtori i Policisë së Shtetit nesër në mëngjes do duhej që të ikte nga zyra e tij.
Blendi Fevziu: Në një vend normal.
Baton Haxhiu: Një drejtor i cili udhëheq Policinë e Shtetit do duhej që të ndjehej i turpëruar, bashkë me ministrin e vendit që i ndodhin të tilla gjëra. Kjo nuk është procedurë, por është kodi moral, përfaqësimi i imazhit të shteti, përfaqësimi i imazhit të policisë, dhe natyrshëm krijon imazhin se po respektohet qytetari dhe institucioni. Të gjitha veprimet e kësaj policie rrumbullakohen me një fjalë “banditizëm” dhe mungesë profesionaliteti. Nuk janë akte banditeske vetëm aktet e kriminelëve. Ajo që dua të them është se nëse SPAK ka bërë një hulumtim korruptim me vite për Ilir Metën, sot që ka bërë SPAK-u është shkatërruar qëllimshëm ose paqëllimshëm nga një grup joprofesionistësh të cilët ia kanë marrë fytyrën Policisë së Shtetit. Nesër nëse kjo një shoqërie apo një ministri të brendshëm nuk i bën përshtypje, nëse një drejtori të policisë kjo nuk i bën përshtypje, atëherë çfarë mund të ndodhë në këtë vend. Mos harrojnë njerëzit se duke i viktimizuar kështu me pasjellje, duke i viktimizuar njerëzit të cilët kanë një të kaluar me probleme korruptim, nuk shërohet kështu korrupsioni dhe ti në mënyrë të padrejtë ndërton drejtësi.
Meta në qeli, publikohet momenti kur i biri i dërgon ujë të atit në izolim
Gjatë mbrëmjes së sotme, kur kanë kaluar disa orë që nga arrestimi i Ilir Metës, është bërë publik momenti kur i biri i ish-Presidentit ka shkuar në zonën e izolimit ku mbahet i ati.
I shoqëruar nga avokati Genc Gjokutaj, i biri i ish-Presidentit Meta ka pasur në duar shishe me ujë për të ia dorëzuar të atit në qeli.
Videoja është bërë publike dhe në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku i ftuar është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Sipas këtij të fundit, djali i Metës nuk ka mundur ta takojë të atin në izolim pasi nuk është e lejuar.
Sjellim në vëmendje se ish-Presidenti Meta është ndaluar ditën e sotme në një prej rrethrrotullimeve të Tiranës teksa po kthehej nga Kosova.
Meta u arrestua me urdhër të SPAK për akuzën e korrupsionit, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.
Arrestimi i Metës/ Tedi Blushi: Telefonova Tonin Vocajn, as ai nuk e dinte ku ishte ish-Presidenti
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, thotë se ish-Presidenti Ilir Meta u rrëmbye dhe u dhunua nga Forcat Operacionale të Policisë.
I ftuar në emisionin Opionion në Tv Klan, Blushi tha se Ilir Meta është goditur në kokë gjatë arrestimit nga agjentët e policisë.
“Është dhunuar, është goditur në kokë z.Meta. Pamjet filmike e tregojnë më së miri. Është goditur në kokë nga këta banditë”.
Por Tedi Blushi u shpreh se për orë të tëra nuk e dinin ku ndodhej Ilir Meta pas arrestimit dhe më pas telefonoi drejtorin e Policisë së Tiranës. Madje, Blushi ngriti dyshime se ndoshta ishte tentuar edhe eliminimi i Metës.
“Është goditur në kokë nga këta banditë, të cilët i kanë zënë rrugën befasisht, e kanë rrëmbyer dhe as familjarët e tij, as zyrtarët e Partisë së Lirisë, as oficerët e Gardës nuk e dinin për orë të tëra ku ndodhej z.Meta. Kam kontaktuar personalisht Tonin Vocajn se nuk e dinim ku ndodhej, menduam që ka qenë një akt kriminal. As Vocaj në fillim nuk e dinte, pastaj na njoftoi, tha po ma sollën tek Drejtoria e Tiranës. Ky është një rrëmbim politik, që ka pasur, dyshoj, ndoshta ka pasur qëllim edhe eliminim fizik të z.Meta”.
“Shpenzime për operacione plastike?”, Kryemadhi reagon live për “Opinion”
Monika Kryemadhi ka reaguar “live” për “Opinion” në Tv Klan teksa në studion e emisionit tema është përqendruar tek arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta dhe akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij dhe deputetes së Partisë së Lirisë.
Në pjesën e dytë të emisionit, Fevziu ka lexuar mesazhin që i ka ardhur në telefon nga Kryemadhi e cila thotë se sipas saj nuk ka asnjë operacion plastik për të cilin të jenë shpenzuar para. Më tej, ajo shton se shpenzimet janë bërë për mjekime të sajat në 7 vjet për kancer në qafën e mitrës.
Blendi Fevziu: Kam një mesazh nga zonja Kryemadhi, e cila më thotë “Nuk ka asnjë operacion plastik dhe fatura për të cilin u fol është për të gjithë familjen për 7 vjet. 2 operacionet në vite të ndryshme, në 2013-ën 7 mijë Euro, të tjerat janë të gjitha mjekime të miat në 7 vjet për një kancer në qafën e mitrës”.
Ndërkohë, SPAK thotë se nga hetimi ka rezultuar se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019 në vlerën totale prej 106.125 Euro.
“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K.”, njoftoi SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka caktuar ndaj Kryemadhit masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” në 2 raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.
/tvklan.al