Nikolla organizon takimin Bardhi-Çuçi, diskutime për komisionet hetimore dhe “zgjedhoren”

Pas rreth 5 muajsh kaos, mazhoranca dhe opozita kanë filluar negociatat për të rikthyer normalitetin në Parlament. Pak ditë më parë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ka thirrur në një takim krerët e grupeve parlamentare, Gazment Bardhin, Bledi Çuçin, Mesila Doden dhe Dashamir Shehin, ky i fundit ka zëvendësuar në këtë takim Fatmir Mediun.

Në këtë takim, është diskutuar për dy çështje të rëndësishme, me të cilat opozita ka kushtëzuar tërheqjen e saj nga aksioni, ngritja e komisioneve hetimore dhe ndryshimi i përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Diskutimet në këtë mbledhje kanë qenë të qeta dhe si opozita dhe mazhoranca kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të gjetur një rrugë të përbashkët me qëllimin e kthimit të normalitetit në seancat parlamentare.

Burime për Klan Neës, bëjnë me dije se PS mund të pranojë të ngrejë disa nga 8 komisionet hetimore, por ende nuk është e qartë se për cilët nga komisionet mazhoranca mund të japë dakordësinë.

Pas takimit me Nikollën dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare, Çuçi dhe Bardhi kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, ku diskutimet janë përqendruar te komisioni i Reformës Zgjedhore. Një tjetër pikë e nxehtë e debatit mazhorancë opozitë, por edhe brenda PD.

Grupi Parlamentar i PD kërkon zëvendësimin e Enkelejd Alibeajt si bashkëkryetar i komisionit me Oerd Bylykbashin, gjë e cila është vështirë të realizohet në një kohë kur ky komision përfundon punime në fund të këtij muaji.

Në këto kushte, duket se opozita dhe mazhoranca do të gjejnë një tjetër formë për të vijuar punën për reformën edhe pas përfundimit të punimeve të komisionit, duke përfshirë edhe PD që drejtohet nga Berisha.

Saqarimi nga socialistët erdhi nga Ministrja e  Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila deklaron se PS nuk po zhvillon asnjë negociatë të fshehtë me PD, ndërsa shpreh dhe qëndrimin e mazhorancës për komisionet hetimore dhe reformën zgjedhore.

“Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë.

Konkretisht:

1. Ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur.

2. Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot.”

Grupi Parlamentar i PD që prej muajit nëntor të vitit të shkuar nuk ka lejuar punimet normale të Kuvendit, duke kaluar se i japin moshuar të drejtat kushtetuese.

Klan News