Një pako e dyshimtë u gjet mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Durrësit, poshtë makinës së Drejtorit të Përgjithshëm të Hekurudhave, Ani Dyrmishi. Ishte vetë Dyrmishi, i cili konstatoi pakon poshtë automjetit, që ndodhej i parkuar pranë shtëpisë së tij në zonën e portit.
Fillimisht u dyshua për bombë. Megjithatë, me mbërritjen e policisë dhe forcave xheniere nga Tirana, rezultoi se bëhej fjalë për një bombë të imituar, një celular i montuar në shishe plastike, brenda së cilës nuk kishte eksploziv. Pakoja u sekuestrua nga ekspertët, me shpresën se do të mund të gjejnë gjurmë të personit që e vendosi poshtë automjetit të Dyrmishit.
Burime të policisë së Durrësit i thanë
ABC News
, se pavarësisht faktit që pakoja nuk ishte bombë e vërtetë, po hetohet në pistën e një kërcënimi dhe paralajmërimi të mundshëm ndaj kreut të Hekurudhave. Ky i fundit në polici deklaroi se nuk ka konflikte me askënd.
/tvklan.al