Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka doli në një deklaratë për media nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku shprehu protestën e deputetëve demokratë për të mos marrë pjesë në komisione parlamentare pas dënimit të kolegut të tyre Ervin Salianji.

Vetë Paloka dhe Jorida Tabaku morën pjesën vetëm në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane.

“Duke e qartësuar për këdo që PD ka qenë iniciatore e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, vazhdon të jetë lokomotivë sepse e sheh si interes të shqiptarëve. Ne jemi dhe do të jemi gjithmonë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë. Sot kur diskutohet hapja e negociatave, ne ndodhemi nën një narko-regjim që nuk plotëson asnjë nga kushtet që kërkon sot BE, as edhe një të vetëm”, u shpreh Edi Paloka.

Deputeti demokrat përmendi disa çështje, që ai i konsideron si pika kyçe në raport me mazhorancë, duke akuzuar këtë të fundit se po pengon zbatiminin e tyre.

“Çështja e parë, ajo e Reformës Zgjedhore. Prej 11 vitesh kjo mazhorancë nuk pranon të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR. Rama dhe regjimi i tij shkelin në zgjedhje të gjitha të drejtat e opozitës.

Çështja e dytë, Reforma në Drejtësi. Qytetarët pas kësaj tëfamshmes reformë në dejtësi përballen me një torturë që nuk e kanë kaluar ndonjëhrë, janë mbi 136 mijë dosje të qytetarëve në sirtarët e drejtësisë së re. Me këtë ritëm që ecet, një qytetari i duhet të kalojë për një cështje civile 14.6 vite që çështja t’i zgjidhet. Dhe 10 vite për një cështje penale. Kjo reformë u bë për t’i kaluar drejtësinë në dorë Ramës. Faktet janë evidente, sot 3 liderët kryesorë të opozitës, lideri i PD Sali Berisha është nën arrest, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu janë gjithë kohën nën persekutim publik nga çështjet penale që u janë hapur.

Pika tjetër dhe që është një nga çështjet që ngre PD lidhur me integrimin dhe zbatimin e marrëveshjeve me BE, është ajo e kontratave PPP, kontratave të tjera korruptive për fat të keq që duhet të zhvillohen me tendera ndërkombëtarë të gjitha marrëveshjet e shkelura nga kjo qeveri”.

Edi Paloka foli edhe për lidhjet e politikës me krimin, çështje për të cilën theksoi se Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një komisioni të quajtur “Komisioni i të Vërtetës” për të zbardhur pikërisht këto lidhje.

“Do të një qëndrim të PD, do të kemi dhe një propozim konkret për një nga çështjet po kaq të rëndësishme, atë të lidhjes së krimit me politikën që kanë dalë në përgjimet e Encro Chat, Sky, biseda që tregojnë qartazi se deri në çfarë niveli deputetë, ministra, politikanë të rëndësishëm të mazhorancës janë të lidhur direkt me krimin, por jo vetëm kaq, aty del zbuluar edhe se si funksionon kjo drejtësia e re kur prokurorë, gjyqtarë marrin përsipër përpara politikanëve lirimin e kriminelëve dhe vrasësve. Për këtë çështje ne do të kërkojmë si PD ngritjen e një komisioni që quhet Komisioni i të Vërtetës dhe që do të kërkojë të zbardhë për gjithë shqiptarët këto lidhje të politikës me krimin”.

Sa i përket qëndrimit që do të mbajë PD në lidhje me punën e saj në komisione parlamentare por dhe aksionin opozitar pas dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit, Partia Demokratike do të mbajë sot në mbledhje në orën 15:00.

/tvklan.al