Eurodeputetët kanë miratuar mbrëmë vonë një amendament kompromisi për të shtuar Shqipërinë dhe Bosnjën në listën e vendeve të rajonit që do të lëvizin pa viza në hapësirën Shengen, duke filluar nga 1 Janari i vitit të ardhshëm.

Eurodeputetët kanë rënë dakord gjithashtu që ky kompromis të hyjë fuçi sapo vlerësimi pozitiv i komisionit për këto dy vende të jetë miratuar nga Këshilli i Bashkimit Europian, që do të vlerësojë ecurinë e reformave në këto vende. 

Në seancën e zhvilluar mbrëmë në komitetin për liritë civile, drejtësi dhe punë të brendshme, me vetëm një votë kundër dhe dy abstenime i është hapur drita jeshile e propozimit të europarlamentares, Tanja Fajon, për përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve që përfitojnë heqjen e vizave me vendet e bllokut 27 anëtarësh.

Po kështu mbështetje gjeti dhe pika e propozimit në të cilën përfshihet nisja e dialogut me Kosovën.

Në një deklaratë të sajën pas miratimit në komision, Fajon shprehu kënaqësinë për këtë mbështetje të madhe të PE-së dhe theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm gjatë muajve të fundit.

Fajon tha se vota pro është një mesazh i fortë për Komisionin Europian, i cili siç tha ajo duhet të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bonjës sa më parë të jetë e mundur.

Propozimi i Fajon pritet që të diskutohet dhe të votohet në seancën plenare të 12 nëntorit në Strasburg, ku PE do të diskutojë regjimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor./tvklan.al