Një pjesë e forcave të ushtrisë së Koresë së Jugut u larguan nga ndërtesa e Parlamentit herët të mërkurën, pasi kryetari i Parlamentit e shpalli të pavlefshëm ligjin ushtarak.

Ligji ushtarak u shpall nga presidenti Yoon Suk Yeol të martën mbrëma, duke krijuar sfidën më serioze për demokracinë e Koresë së Jugut që nga vitet 1980. Ligjvënësit e hodhën poshtë me votë.

Deklarata e Yoon, u kundërshtua me zë të lartë nga kryetari i parlamentit dhe madje edhe nga lideri i partisë së vetë Yoon, Han Dong-hoon, i cili është përplasur me presidentin për trajtimin e skandaleve të fundit.

Sipas ligjit të Koresë së Jugut, presidenti duhet ta shfuqizojë ligjin ushtarak nëse parlamenti e kërkon atë me shumicë votash.

Pamjet e drejtpërdrejta televizive treguan forcat e armatosura, të ngarkuara me sa duket për të zbatuar ligjin ushtarak, duke u përpjekur të hyjnë në ndërtesën e Asamblesë Kombëtare. Ndihmësit e parlamentit u përpoqën t’i ndalojnë duke aktivizuar alarmin e zjarrit.

Presidenti Yoon tha në një transmetim televiziv se partitë opozitare kanë marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua të zhdukë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane Veriore” dhe shtoi se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të marrë masa për të mbrojtur rendin kushtetues.

Ku ka krizë ka një mundësi dhe reagimi i fortë erdhi nga opozita.

“Kjo shpallje është e paligjshme dhe përbën vepër penale, shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës dhe ligjeve të tjera”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike të opozitës. “Është në thelb një grusht shteti,” tha ai.

Menjëherë pasi Yoon shpalli ligjin ushtarak, njerëzit filluan të mblidhen jashtë ndërtesës së parlamentit, disa prej tyre duke bërtitur: Hiqni menjëherë ligjin ushtarak!

“Arrestoni Yoon Suk Yeol” bërtisnin të tjerët.

Klan News